Ditën e sotme është bërë e ditur se rruga Qafë Thore- Theth është hapur. Ajo ishte bllokuar prej reshjeve të borës e sidomos nga rënia e ortiqeve, të cilat kishin bllokuar tunelet përgjatë rrugës.
Me një postim në Facebook deputeti i Shkodrës Benet Beci ka falenderuar ata që e bënë të mundur hapjen e rrugës, teksa ka ngritur edhe problematika të shfaqura që nga ndertimi i saj.
“Falë punës së palodhur natë e ditë të këtyre djemve në kushte të pafavorshme atmosferike, me angazhimin e kontraktorit dhe të Agjencisë Rrugore Shqiptare, u bë e mundur hapja e komunikimit me Thethin.
Edhe pse pas ndërtimit të rrugës së re Thethi është bërë shumë më i aksesueshëm gjatë gjithe vitit dhe rruga gjatë dimrit mund të hapet shumë më shpejt se më përpara, duket se projekti i rrugës nuk i ka dhënë një zgjidhje të plotë bllokimit nga rënia e orteqeve. Duhet të rimendojmë një zgjidhje më të plotë e të qëndrueshme.”, shkruan deputeti Benet Beci.