Në kuadër të platformës për bashkëqeverisje, kryeministri Edi Rama ka folur për përzgjedhjen e anëtarëve që do merren me ankesat dhe kërkesat e qytetareve.
Në prani të personave që po trajnohen me këtë projekt, kreu i qeverisë theksoi se në këto vite tranzicioni veçoi problemet që ndodhin brenda Kryeministrisë, siç është dhe moskthimi i përgjigjeve për ankesat që kanë qytetarët. Sipas Ramës, procesi ka qenë i ndërtuar pa pikë në fund.
“Aktiviteti i platformës është ende në embrion, por edhe me kaq ne kemi mundur të konstatojmë vlerën e shtuar të këtij instrumenti. Ajo çka nuk ka funksionuar deri më sot në gjithë këtë histori, duke nisur nga kjo godinë është kjo që nuk është arritur që as godina më e rëndësishme e institucionit shqiptar t’u japë njerëzve përgjigje për mijëra e mijëra ankesa. Procesi ka qenë i ndërtuar pa pikë në fund”, tha Rama.
Në këtë proces për platformën bashkëqeverisjes janë trajnuar 25 persona, me eksperienca dhe studime të ndryshme.
“Kjo platformë është mundësia e çdo shqiptari për të qenë pjesë e koalicionit të madh të njerëzve të këtij vendi. Kjo për ta bërë këtë vend të denjë për fëmijët tanë dhe po ashtu, është arma e çdo shqiptari që e do Shqipërinë me shtet, punë, mirëqenie, kundër çdo zyrtari e nëpunësi që e pengon njeriun e zakonshëm në zgjidhjen e halleve e në përmbushjen shpresave e të ëndrrave të veta. Ne duhet të bëjmë me dije përmes syve dhe veshëve të publikut që jo vetëm që jemi gati me një rrjet anëtarësh dhe anëtarë të ekselencës për të vijuar dhe për ta kthyer platformën online të bashkëqeverisjes me njerëzit në një instrument në dorën e çdo shqiptari. Deri në 27 gusht mbi 800 kandidateve kanë aplikuar sipas standardeve të rekrutimit për ccdo post. Më vjen shumë mirë ta nënvizojë, ishim në një përqindje cilësore. Kualifikimi, eksperienca dhe përshtatshmëria me misionin e kësaj organizate. Pasi u seleksionuan 120 kandidatë, nga të cilët u përzgjodhën 25, u bënë intervistat përfundimtare. Të gjithë programatorët e kësaj zyre po trajnohen intensivisht për gjithë procesin dhe mënyrën se si do të trajtohet rubrika e platformës së bashkëqeverisjes, çdo kërkesë dhe çdo ankesë, çdo kontribut i qytetarit. Të 25 anëtarët e kësaj organizate, sa është një strukturë brenda shtetit aq është edhe një rrjetë vullnetarësh për të shtyrë përpara një proces të rëndësishëm, vijnë si profesionist të suksesshëm. Vajza dhe djemtë, burra dhe gra të shkolluar jashtë dhe brenda vendit, me entuziazëm dhe me një background që lë për të shpresuar. Njërin prej jush, se kemi prej nesh, vjen nga Indonezia”, theksoi Rama.
Ndër të tjera, kryeministri Edi Rama tha se ministrat janë përgjegjës për të zgjidhur çdo problem të anëtarëve të koalicionit të bashkëqeverisjes me qytetarët.
“Sistemi sot që do të vihet në funksion është krejt i ndryshëm, pra përmes platformës njerëzit do marrin përgjigje dhe për çdo ankesë dhe kërkesë janë përgjegjës ministrat. Duhet të jepet zgjidhja për të gjitha rastet ku është e mundur. Në këtë platformë çdo qytetar mund të bëjë edhe denoncim për të sensibilizuar qeverinë. Të gjitha denoncimet në media janë të mirëseardhura, por kjo platformë të krijon mundësinë për të zgjidhur problemin direkt. Përmes kësaj platformë njerëzit marrin një ‘armë’ për të luftuar për të drejtat e tyre. Përmes kësaj platforme çdo zyrtar do ketë të qartë se çdo qytetar është një anëtar i këtij koalicioni dhe do ketë përgjegjësi”- tha Rama. /balkanweb/
FACT CHECK: ShkodraWeb synon t'ju informojë në mënyrë të drejtë dhe të saktë. Nëse ju konstatoni se ka ndonjë pasaktësi të mundshme, jeni të lutur të na e raportoni këtu