Në një takim këshillimor, paraditën e së martës, më 31 janar 2023, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, diskutoi mbi domosdoshmërinë e ndryshimit të mënyrës së të menduarit në aktivitetin e Myftinisë Shkodër, por edhe në marrëdhëniet e saj me krejt institucionet, në të dy drejtimet.
Myftiu, theksoi se është humbur shumë kohë dhe energji për gjëra, që nuk kanë merituar aq sa është shpenzuar për to, sikurse nuk është shfrytëzuar si dhe sa duhet prania e shumë vakëfeve të vjetra në Shkodër.
Ai tha se ka shumë prona, që kanë nevojë për shfrytëzim nga e para, për t’u zhvilluar dhe për t’u ndarë nga politika e dhënies me qera për një kothere bukë!
Myftiu theksoi se nuk duhet toleruar askush, që qëndron përballë angazhimit për zhvillimin e vakëfeve, që janë burim jetik për Myftininë e Shkodrës.
Njëkohësisht, tha se duhet kapërcyer pragu i varësisë ndaj boshllëkut dhe pesimizmit, që vjen si rezultat i izolimit, provincializmit dhe mungesës së përpjekjes për të ecur përpara me plot krenari e forcë, si dhe për të forcuar pushtetin e Thirrjes Islame dhe integritetin e institucionit!
I pranishëm në këtë takim ishte edhe z. Muamer Vuci, intelektual dhe kryetar i shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Vendet Arabe. /Publikuar në faqen zyrtare në Facebook të Myftinia Shkodër/