Rozeta Dobi ka dhënë një dëshmi të gjatë ditën e djeshme në polici. Pastruesja e famshme, e cila u arrestua pas një vjedhjeje në shtëpinë ku pastronte ka qëndruar dje nga ora 10:00 deri në orën 17:00 në ambientet policisë së Tiranës.
Raportohet se Dobi ka dhënë dëshminë para hetuesve dhe më pas është transferuar sërish në burgun 325 ku ndodhet në paraburgim që prej datës 7 janar për vjedhjen e parave në banesën e zyrtares Alda Klosi.
Kjo e fundit, ish-zyrtare e Kryeministrisë u arrestua ditën e djeshme pikërisht pas dëshmisë së Rozeta Dobit. Ajo u shoqërua dje në polici në orën 18:00 dhe është arrestuar në 22:30.
Policia ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit nga Prokuroria. Mësohet se ndaj Klosit rëndojnë akuzat për veprat penale të pastrimit të parave dhe produkteve të veprës penale.
Në dëshminë e saj, Dobi ka pretenduar se ka pastruar 8 shtëpi të mbushura me para. Pastruesja ka rrëfyer se vjedhjen e inskenoi “pasi Alda Klosi donte të ngarkonte me përgjegjësi burrin”, për shkak të konflikteve mes tyre.
49-vjeçarja ka deklaruar se paratë në shtëpinë e Alda Klosit vinin me me çanta prejt vitit 2021 dhe se ajo i ka kërkuar që t’ia ruante.
“Paratë vinin që nga viti 2021. Unë nuk kam dijeni kush i sillte, por paratë vinin në çantë. Në dhjetor 2022 Alda ngaqë kishte konflikte me burrin më kërkoi t’i ruaja. Ditën që i mora me çantë i mora nga kasafortë, pasi Alda nuk ishte në shtëpi. Më tha ajo vetë merri në kasafortë.
Ngjarjen e vjedhjes e inskenova pasi ajo donte të ngarkonte me përgjegjësi burrin”, mësohet të ketë thënë Rozeta Dobi, raporton News24.
Është e paqartë se kush e ka telefonuar policinë ditën kur janë marrë shumat e konsiderueshme të eurove nga banesa, vajza e ish-zyrtares apo vetë Alda Klosi.
Në dëshminë e parë Alda Klosi ka pretenduar se i janë vjedhur vetëm para e bizhuteri dhe një shumë parash për përdorim vetjak.
“Shumë për përdorim vetjak, para e bizhuteri”, ka treguar Alda Klosi për policinë në dëshminë e parë.