Ministja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjete sociale për shembjen e mbikalimit te “Ura e Bahçallëkut” duke thënë se mbikalimi u dëmtua nga një goditje dhe kamioni i parkuar aty pranë nuk kishte drita fluoreshente për të treguar që ishte shkaktari. Bilali shprehet se rrjetet sociale i kanë kthyer njerëzit në “gjykatës tastierash” duke theksuar se qytetarët preferojnë të mbyllin sytë para të vërtetës dhe të helmojnë shpirtin e tyre me të pavërteta. Ministra me ironi shkruan se hipoteza më e gjetur ishte që e kanë bërë fansat e Luizit pas bashkimit me Kiarën.
“Mbikalimi i thyer dhe dukshëm i dëmtuar nga goditja dhe kamioni me vinçin e ngarkuar sipër, i parkuar aty pranë dhe që i mungonin veç dritat fluoreshente për të treguar që ishte shkaktari, janë dëshmia që njerëzit preferojnë të mbyllin sytë para të vërtetës dhe të helmojnë shpirtin e tyre dhe opinionin publik me të pavërteta”, thotë ajo.
Postimi i plotë
Çfarë mësimi doli nga lajmet për dëmtimin e mbikalimit?
1. Rrjetet sociale na kanë kthyer në “gjykatës tastierash” pa pasur nevojë as për prokurori as për polici. Mbikalimi i thyer dhe dukshëm i dëmtuar nga goditja dhe kamioni me vinçin e ngarkuar sipër, i parkuar aty pranë dhe që i mungonin veç dritat fluoreshente për të treguar që ishte shkaktari, janë dëshmia që njerëzit preferojnë të mbyllin sytë para të vërtetës dhe të helmojnë shpirtin e tyre dhe opinionin publik me të pavërteta.
2. Kundërshtarët politikë janë aq të pasigurt në vete sa zbarkuan në rrjete sociale për të dhënë versione njëri më qesharak se tjetri, si e si për të lëshuar një grusht baltë, ku faktet ia kanë kthyer sistematikisht mbrapsht, ashtu sikurse ndodhi edhe në këtë rast.
3. Portalet, për hir të nxitimit për të publikuar lajme sa më shpejt, nuk janë më vetëm pasqyruese faktesh, por edhe ngritëse hipotezash e teorish konspirative.
4. Në kohët e sotme, solidariteti është privat e linçimi është publik. Mora po aq telefonata e mesazhe sa tek letra e rreme e dorëheqjes (që janë shumë më shumë sesa komentet keqdashëse)
5. Kinematografia do të na kishte zili nga hipotezat diametralisht të kundërta që nisin nga “ra mbikalimi vetë” në “e përplasën qëllimisht për t’ia hequr veprën Ministres”.
6. Pavarësisht të gjithave, kemi sens të pakrahasueshëm humori ku hipoteza më e gjetur ishte që e kanë bërë fansat e Luizit nga shendi i madh i bashkimit me Kiarën.
Për ta përmbledhur: mbikalimi ishte një ndërhyrje mirëmbatjeje dhe rinovimi estetik me motiv sixhaden e Shkodrës që i ka kushtuar shkodranëve e shqiptarëve 0 LEKË nga taksat, pasi siç e kam thënë çdo herë që kam folur për të, ka qënë një projekt në kuadër të sloganit #tanebashke, ku biznesi, komuniteti, rinia dhe institucionet publike përgjegjëse u bënë bashkë për ta rijetësuar hyrjen e qytetit deri në momentin që projekti i madh i transformimit të hyrjes së Shkodrës të merrte jetë. Jam e keqardhur që ndodhi sepse kishim investuar shumë kohë e pasion në këtë projekt, por shumë e lehtësuar që ishte me aq e nuk është lënduar askush!
Një aksident është regjistruar mesditën e djeshme në lagjen Bahaçallëk të Shkodrës. Një kamion me një eskavator të ngarkuar në të është përplasur me mbikalimin në lagjen ‘Bahçallëk’. Për rrjedhojë, policia ka arrestuar drejtuesin e kamionit të identifikuar si S.Sh, 60 vjeç si fajtor. Fatmirësisht në momentin e shembjes, nuk ka patur në lëvizje automjete dhe as këmbësorë dhe nuk ka të lënduar.