Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas njoftimit se në fshatin Fshat i Ri, Vau i Dejës, kishte rënë zjarr në një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, menjëherë janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes.
Gjatë rrugës për në vendin e ngjarjes, shërbimet e Policisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për 2 shtetas si autorë të dyshuar të ngjarjes, kanë lokalizuar në fshatin Rranxa, një automjet me të cilin po qarkullonin 2 shtetas dhe i kanë bërë shenjë për ndalim. Në momentin e ndalimit, shtetasit Afrim Sadiku dhe Pjeter Dragoti kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë kanosur për vrasje punonjësit e Policisë, por falë reagimit të punonjësve të Policisë, ata janë neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë.
Në përfundim te veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës arrestuan në flagrancë shtetasit Afrim Sadiku, 26 vjeç dhe Pjeter Dragoti, 26 vjeç, të dy banues në Bushat, Shkodër.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë djegur një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, në Fshatin e Ri, në Vaun e Dejës, në pronësi të shtetases Z. Gj.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim.