Referimi ndaj historisë mund të jetë një mënyrë e mirë për të saktësuar pritshmëritë mbi zhvillimet e ardhshme në skandalin McGonigal. Historia e Manuel Noriegës mund të na japë mësime të shumta. Aty gjejmë shumë ngjashmëri të drejtpërdrejte, e të tjera të tërthorta, mes historisë së tij dhe asaj të Edi Ramës.
Noriega, ashtu si Edi Rama, kanë pasur marrëdhënie të jashtëzakonshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që i pari mbështeti luftën antikomuniste në Amerikën Latine, i dyti strehoi në Shqipëri shtetas nga Afganistani e Irani në një kohë që asnjë shtet tjetër nuk e bënte. Noriega i ndihmonte SHBA-të si një ndërmjetës në marrëdhëniet e vështira me Kubën e Castros apo Nikaraguan e sandistëve, ndërkohë e njëjta gjë propagandohet për marrëdhënien e Ramës me Serbinë e Vuçiçit apo Turqinë e Erdoganit. Në të dyja rastet, si Panamaja ashtu dhe Shqipëria, janë territore me interesa të larta gjeostrategjike për botën perëndimore.
Interesa të cilat si në rastin e Noriegës apo të Ramës, preknin gjithashtu trafiqet ilegale. Për shkak të lokacionit gjeografik, Panamaja si Shqipëria, u kthyen në korridore tranziti për trafiqe armësh, droge, pastrim parash e interesash kriminale ndërkombëtare. Qeveritë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Noriegës, ashtu si të Ramës, u përfshinë drejtpërsëdrejti në këto trafiqe. Në një raport të kohës, thuhej që asgjë në Panama nuk lëvizte pa udhëzimet, ur dhrin apo miratimin e Noriegës. E njëjta gjë thuhet dhe sot për Edi Ramën. Duke u mbështetur në këtë pushtet të papërmbajtur, ata u kthyen edhe në baronë të trafiqeve. Diçka që u tolerua nga partnerët ndërkombëtare, deri në një farë mase, edhe për shkak të shërbimeve utilitaro-diplomatike të shpjeguara më lart. Këtu mund të përfshijmë dhe bashkëpunimin më të drejtpërdrejtë në luftën ndaj trafikantëve ‘komunistë’ dje, apo ‘terroristë’ sot.
Por Amerika është një demokraci e jashtëzakonshme, ku balanca e pushteteve dhe shteti i së drejtës mundësojnë gjetjen e një ekuilibri paretian. Ndërkohë që shërbimet e jashtme kishin interesa tek stabiliteti gjeopolitik në Amerikën Latine (apo ai në Ballkan), shërbimet e brendshme prekeshin nga impakti negativ i rrjeteve kriminale ndërkombëtare të financuar nga Noriega (apo Rama). Dje dhe sot, droga përbën një sfidë të jashtëzakonshme për rendin publik në SHBA. Në vitin 2015 numëroheshin 52.404 vdekje nga overdoza ndërkohë në vitin 2021 kjo shifër është dyfishuar duke shkuar në 106.699.
Përballë krizës urbane që krijoi droga latine në vitet 90, situata me Noriegën u bë e papërballueshme. Në vitin 1989, ushtria Amerikane e pushtoi fizikisht Panamanë duke rrëzuar Noriegën nga pushteti dhe e ekstraduar në SHBA. Pas një gjyqi 7 mujor në Miami, ai u dënua me 40 vite burg për trafik droge, pastrim parash, shantazh etj. Ishte një President republikan, George H.W. Bush, ai që dha urdhrin e pushtimit. Në opinionin publik ndërkombëtar pushtimi u justifikua me rrëshqitjen e fundit autoritare të Noriegës. Ai abuzoi masivisht me zgjedhjet presidenciale të majit 1989 duke shkuar deri në anulimin total të tyre.
Edi Rama i 2023 është në të njëjtë situatë si Noriega në majin e ‘89-ës. Si në vitet ‘90, droga sot është një problem i jashtëzakonshëm në SHBA me më shumë vdekje nga overdoza sesa nga SIDA dhe aksidentet rrugore kombinuar. Si Noriega me zgjedhjet e 89s, Rama sot po kërkon të zhdukë pluralizmin politik duke abuzuar masivisht me sistemin zgjedhor e duke tentuar të zhduke opozitën. Ndërkohë po njësoj, Rama ka cenuar sigurinë dhe reputacionin e shërbimeve të brendshme amerikane siç po dëshmohet dita ditës nga skandali McGonigal. Rama si Noriega, e ktheu Shqipërinë në një pllakë tranziti duke u mundësuar trafikantëve ndërkombëtarë, përfshirë nga Amerika latine, të kryejnë investime imobiliare në Shqipëri. Dhe për ta mbyllur, nëse skandali i “Panama Papers” tregonte sesi një shtet i vogël ishte kthyer në një parajsë fiskale ku fshiheshin paratë e kriminelëve nga mbarë bota, ne nuk mund të shohim thjeshtë një rastësi tek amnistia fiskale e mbrojtur me kaq ngulm nga qeveria Rama.
Protesta e 11 shkurtit tregoi që populli opozitar është në një faqe me interesat amerikane dhe ato europiane, me vlerat perëndimore, me ambiciet demokratike për një rend të bazuar mbi ligjshmëri, ekonomi të lirë, llogaridhënie publike, zgjedhje të lira e liri shtypi, sipërmarrje e zhvillim të qëndrueshëm. Edi Rama sot qëndron si antipodi i këtyre vlerave. Dhe përballë drejtësisë së historisë, Edi Rama si Manuel Noriega, do të ketë të njëjtin fund, herët a vonë. /Nga Akil KRAJA/