Kanë kaluar plot 104 vjet nga dita kur emri “Vllazni” lindi në historinë e sportit shqiptar. Nuk janë pak, kur dihet se që prej asaj dite, pra të 16 shkurtit të vitit 1919 që firmosej themelimi i Shoqërisë Kulturore Sportive Vllaznia, e para e këtij lloji në Shqipëri, e deri më sot, ky emër simbolik e kuptimplotë në familjen e madhe sportive të vendit tone, i ka dhënë aq shumë sportit kombëtar.
Referuar edhe të dhënave zyrtare, sporti në Shkodër daton të jetë më i hershëm se 16 shkurti i formimit të shoqërisë sportive “Vllaznia, asaj shoqërie që bashkoi dy shoqatat “Vaso Pasha” dhe “Mustafa Pasha” në një të vetme me kryetar Hilë Mosin, nënkryetar Hysen Draçinin dhe sekretar Jonuz Tafilin. Bëhet fjalë për vitin 1905, kur në Shkodër filloi të luhej për herë të parë futboll dhe që për këtë kontribuoi një prift maltez, At Gut Ruter, i cili dokumentohet se ka sjellë topin e parë të futbollit në Shkodër po në këtë vitë dhe që për këtë Këshilli Bashkiak Shkodër e ka dekoruar me titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”.
Një shoqëri kulturore sportive kjo që do të luante një rol shumë të madh në zhvillimin e llojeve të ndryshme të sportit në vendin tonë. Madje pikerisht në Shkodër kanë fillimin e tyre sporte si futbolli, çiklizmi, basketbolli, atletika etj. Ndërkohë, në vitet në vazhdim, brez pas brezi, sportistët shkodranë të inkuadruar në ekipet me emrin kuptimplotë “Vllaznia” kanë qënë më të spikaturit e veprimtarive sportive kombëtare dhe ato ndërkombëtare, gjë të cilen vijojnë ta bëjnë edhe sot.
16 shkurt 1919-Kryesia e Shoqërisë Vllaznia
Kryetar- Hilë Mosi
Nënkryetar-Hys Draçini
Arkëtar-Patuk Saraçi
Këshilltar-Kel Marubi, Luigj Kodheli
Kontrollor-Taip Hilmija, Omer Ruzhdija
Sekretar-Jonuz Tafilaj dhe Llogaritar Ali Borshi
Ndërkohë, në drejtimin e degëve, mbledhja e parë e kryesisë zgjodhi në detyrën e avokatit-dega letrare Kristo Floqi, professor-dega teatrore Salih Nivica, professor-detyra muzikë Ndue Paluca dhe professor-dega gjimnastikë Kolë Margjini.
Me emrin e Vllaznisë lidhen sa e sa ngjarje historike të këtij qyteti të lashtë e plot kulturë. Përpos futbollit, sporti i parë që nisi rrugëtimin e historisë së këtij qyteti duke qënë Vllaznia kampionia e parë e Shqipërisë të para dhe pas luftës, Shkodra ishte ajo që prodhoi edhe kampionë Europe dhe Bote në atletikë, peshëngritje, boks, etj.
Respekt dhe mirënjohje emrave të nderuar që i lanë trashëgim qytetit të tyre këtë shoqëri kulturore sportive, e cila sot mbush 104 vjeç. Urojmë me gjithë zemër: Vllazni, gëzuar ditëlindjen!