Sado i mjeshtri e përvojë të ketë fituar njeriu ai gjithnjë përpiqet të ketë një përqasje në mes asaj që ka deshirë e asaj që ka mundësi të mbërrijë. Një gja e vrej me kujdes dhe e kam si orjentuese.
Kur Tish Mirdita bën një like në vidiot e mia muzikore i them vetes se ja kam arritë të krijoj emocion. Pse Tish Mirditen e kam si etalon të shijeve estetike do thoni? Sepse ai asht muzikant. Kemi jetu pothuj në një rrugicë, rruga që fillon te Dugajt e Reja. Isha fëmi në atë kohë e më bante përshtypje veshja e veçantë me shije e disa fëmijëve e të rinjve që ishin pasqyrë e familjeve aristokrate, sipas gjykimit të kohës. Ne u thoshin reshperë se ashtu ishte mentaliteti. Ekuivalent ishte dhe një tjetër djalë i familjeve shkodrane që shprehnin një rang të veçantë fisnikërie. Edhe ai e kishte emrin Tish, mbiemri Serreqi. Të dy këta pedagogë shkodranë të mirënjohun e të respektuar.
Duhej ta shihje me sytë e fëminisë se si i vlerësonim familjet. Admirimin që kishim për to. Sapo të binte rasti të hyje në shtëpinë e tyre, të dukej se futeshe në një botë tjetër, larg pluhurit të rrugës ku rrinim gjithë ditën. Mbaj mend edhe kur u futa në shtëpitë e shokëve të shkollës Ndoc Çoba dhe në familjen e shokut tim të ndjerë Gjon Luli, djali i Rrok Lulit, një aristokrat i vërtetë që kishte ba burg por kishte një sjellje që nuk kishte të bënte me kohën absurde ku jetonim. E përsëris një botë tjetër, një frymë tjetër, një butësi e mirësjellje që të detyronte që edhe ecjen mbi qilima ta kishe me butësinë që ta impononte mjedisi.
Prandaj u besoj shijeve në art të Tish Mirditës dhe Tish Serreqit, aristokratët e rrugës së fëminisë sime. /Nga Kolec P. TRABOINI, publikuar në Facebook/