Edi Rama ka të vertetën e vet! Për çeshtjen e ish- agjentit të FBI- së McGonigal, tashmë nën gjykim nga drejtësia amerikane për shkelje financiare (për të cilat SHBA- të nuk falin) por edhe dyshime për spiunazh. U bënë dit që kryeministri po del në Skype apo dhe “live” në studio për të sqaruar pozicionin e tij, meqenëse përmendet plot 14 herë në një dokument publik të drejtësisë amerikane lidhur me çeshtjen “McGonigal”.
Prej të paktën 2017- ës, Edi Rama është i gjithpushtetshëm në këtë vend, i plotfuqishëm, i mbështetur deri në adhurim nga një grup (solid) deputetësh të PS- së dhe jo vetëm në Kuvend. Si ideator dhe mbështetës deri në ekstrem i reformës në drejtësi, kryeministri nuk mund të thuhet se nuk ka ndikim në këtë sistem, i cili të paktën nga 1945 e deri më sot, nuk i ka shpëtuar asnjëherë ndikimit politik apo pushtetit ekzekutiv.
Përtej këtyre fakteve lehtësisht të konstatueshme, Edi Rama nuk po guxon të përballet me parlamentin për çeshtje “McGonigal”. Ai e ka bërë të ditur se do të shkojë në interpelancë në Kuvend “kur ta shohë të arsyeshme”. Kjo, edhe në kushtet kur rregullorja e Kuvendit, dokument me fuqinë e ligjit, parashikon afate se brenda çfarë kohe duhet të paraqitet para deputetëve ministri apo edhe kryeministri i vendit.
Ndërsa duket se Rama nuk e ka probëem tu përgjigjet gazetarëve për çeshtjen “McGonigal”, është e çuditshme që ai ka frikë të përballet me Kuvendin, sidomos përballë një opozite më të përçarë se kurrë më parë. Pse ka frikë Rama të shkojë në Kuvend, do të ishte një pyetje mëse normale. Çfarë mund të ketë më shumë në dorë opozita nga sa kanë publikuar mediat deri më sot që frikon Ramën? Pse ndjehet i rrezikuar kryeministri kur të paktën 76- 78 deputetë i ka në rresht si mbështetës të paktën nga 2017- a e këtej?
Heshtja e deritanishme për çeshtjen “McGonigal” e selisë diplomatike të Rrugës së Elbasanit, mund të jetë njëfarësoj përgjigje jo e drejtpërdrejtë. Nga publikimi i kësaj teme, ambasadorja në largim Yuri Kim, ka patur dalje publike por nuk ka preferuar të shprehet për temën në fjalë. Madje, orët e fundit ka patur kohë e mundësi të flasë edhe për vlerat e “Besës” shqiptare por jo për “McGonigal”. Mbase është parim që ndërsa drejtësia në SHBA është duke folur, diplomatët duhet të heshtin. Apo javët e fundit të mandatit i imponojnë heshtjen duke lënë mundësinë për pasardhësin të shprehet?!
Opozita e ka kthyer jo pa të drejtë në “kalë beteje” çeshtjen “McGonigal”. Dhe është për tu përdorur. Në çdo vend tjetër me demokraci funksionale, jo vetëm që kryeministri duhej të jepte llogari në parlament por edhe të jepte dorëheqjen. Janë raste të pastra të dyshuara për korrupsion, aktiv apo pasiv nuk ka rëndësi. Pa folur për pjesën e spiunazhit, që për SHBA- të kanë një rëndësi të dorës së parë.
Me gjasë, Edi Rama do të shkojë në Kuvend. Përndryshe, këtu edhe fasadë- demokracia mund të konsiderohet e vdekur. Për një vend antar të NATO- së dhe në paradhomën e BE- së, është e pakonceptueshme të ketë qasje tjetër. Kryeministri po shfrytëzon këto dalje mediatike jo vetëm për të konsoliduar “të vertetën e tij” por edhe për të indoktrinuar mbështetësit e vet dhe të tjerë me këtë “të vertetë”. Kur sondazhet ti thonë se ia ka arritur qëllimit, ai do të paraqitet në Kuvend. Sepse 2023- i është vit zgjedhor! /Nga Blerti DELIJA/