Dosja ‘McGonigal’ për Lulzim Bashën tregon edhe një herë se si segmente të politikës shqiptare paguajnë për të përbaltur kundërshtarin politik për të çimentuar pushtetin e tyre politik, duke iu bashkuar akuzave të opozitës drejt Kryeministrit Rama. Basha foli në Report Tv sot në prej intervistave të rralla televizive që prej largimit nga PD për çështjen e cila po ‘mban peng’ aktualitetin politik në vend. I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv të gazetarit Arbër Hitaj Basha foli për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe lidh akuzat që i janë bërë atij për raportin e Dick Marty me dosjen ‘McGonigal’.
“Kjo është një pikë e sqaruar. Njësoj si në rastin ‘McGonigal’ balta e hedhur ndaj meje ka pasur vetëm një funksion: çimentimin e një pushteti që kurrë nuk e ka pasur interesin kombëtar dhe interesin publik si gjëja më e çmuar për t’u mbrojtur por përkundrazi është treguar i gatshëm të përbaltë kundërshtarët politikë interesat e veta personale. Kjo është një shpifje i bashkohet shpifjeve që bota mbarë i ka marrë vesh se janë paguar për qëllime të ngushta politike vetë protagonistët e ngjarjeve i kanë hedhur poshtë”, tha Basha.
Ai u shpreh se raporti i Dick Marty është hedhur poshtë pas hetimeve dhe në këto hetime është bërë e qartë se personazheve kryesorë që i është hedhur emri im kanë thënë që jo.
“Shpifjen e fundit e ka hedhur poshtë vetë Dashamir Peza në lidhje me këtë çështje. Janë provuar si gënjeshtra me këmbë shumë të shkurtra. Unë nuk e përjetoj personalisht këtë çështje. Asgjë nga lojërat e vogla, meskine të autoktratëve të Ballkanit nuk më bën përshtypje. Pas kaq e kaq vitesh nga rënia e diktaturës disa figura kryesore nuk heqin dorë nga skemat e diktaturës, siç është edhe rasti i fundit që e ka marrë vesh e gjithë bota dhe çdo shqiptar”, tha ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ky është qëndrimi i parë i qartë i Lulzim Bashës për të gjithë diskutimin për dosjen e ish agjentit të FBI, Charles McGonigal, pasi më parë kishte shkruar vetëm një postim në rrjetet sociale dhe duke mos dashur të japë asnjë mesazh të drejtpërdrejtë për gjithçka po vlon në politikën shqiptare tha vetëm se “E drejta vonon por nuk harron! Me SHBA në krah Shqipëria mund dhe do të bëhet vendi i mundësive për shqiptarët”.
Sipas opozitës, përfshirë Rithemelimin por edhe Alibeajn të cilit Basha i la partinë pas dorëheqjes, kanë sulmuar kryeministrin Rama se ka dhënë ryshfet në mënyrë që agjenti i FBI-së në hetim McGonigal të sajojë sipas demokratëve, historinë e lobimit rus, me qëllimin për të dëmtuar Partinë Demokratike. Në fakt, nga drejtësia amerikane, përveç thyerjes së sanksioneve, duke ndihmuar një oligark rus, ish-zyrtari i FBI po hetohet edhe për lekë të padeklaruara, të marra borxh nga miku i tij, biznesmeni shqiptaro-amerikan Agron Neza. Pikërisht këtë 225 mijë dollarësh borxh, opozita e quan ryshfet të Ramës për të shpikur skandalin e lobimit. Reagimi i Lulzim Bashës erdhi pasi Sali Berisha e quajti sërish “peng” dhe pretendoi se ka ‘kyçur gojën’ pasi e ka urdhëruar ambasadorja Yuri Kim.