Tek ajo lulishte, para 1990- ës, unë si shumë qytetarë të tjerë të Shkodrës, kam mjaft kujtime. Shumë syresh janë të fiksuara në foto fëmijërie e shumë të tjera në tru, me shijen e akulloreve apo byrekëve ulur në stolat e vendosur mes luleve e pemëve.
Prej vitesh, siç ishte e natyrshme, prona nisi të kthehej tek i zoti. Në këtë rast, lulishta iu rikthye Komunitetit Mysliman Shqiptar, nën administrimin e Myftinisë së Shkodrës. U ndërtua një xhami, ndoshta ndër më të bukurat në këtë qytet, me simbolikën e fortë të triumfit të Zotit mbi ateizmin. Deri këtu, besoj se shumica që lexojnë këto rreshta, biem dakort. Natyrisht, ka edhe një pakicë që mbase, në të drejtën e vet, vazhdojnë të besojnë në ateizëm apo edhe në një lidhje direkte me Zotin, profetët e të dërguarit, pa patur nevojë për objekte kulti.
Komuniteti Mysliman siç edhe ai katolik, ortodoks, ungjillor e të tjerë, funksionojnë në bazë të statuteve apo rregullave të tyre. Fatmirësisht ka nisur dhe fatkeqësisht nuk po ecën me ritmin e duhur, kthimi i pronave të komuniteteve fetare. Arsyet janë të shumta por kjo është padrejtësi, qoftë kundër një individi apo edhe komuniteti fetar. Të gjitha pronat e rikthyera, shpresoj dhe besoj se administrohen sipas rregullave të komuniteteve fetare. Kështu edhe për vakëfet që deri më sot, janë në administrim të Myftinisë Shkodër.
Komunitetet fetare që të vazhdojnë aktivitetin, kanë nevojë edhe për të ardhura. Të ardhura jo vetëm për administratat, klerikët por edhe për të ndërtuar objekte të reja kulti e natyrisht, për të ndihmuar siç edhe kanë ndihmuar ata që kanë qenë në vëshitësi dhe kanë patur nevojë. Xhamia Ebu Bekr është në zemër të Shkodrës, sepse aty ka qenë edhe para cunamit shkatërrimtar komunist. Ajo pronë, aty mbetet të zhvillohet sepse nuk mund të spostohet diku tjetër, më në periferi.
Në Shkodër, ka me dhjetra e mbase qindra prona që po shemben nga pesha e harresës e pamundësisë së pronarëve për të investuar. Janë dhjetra të tjera që po zhvillohen në shkelje të kondicioneve urbane, duke zaptuar hapësira që janë të tjerakujt. Një gjë duhet të jetë e qartë: zhvillimi i çdo prone bëhet sipas mundësive e ideve të pronarit, qoftë individ apo komunitet fetar. Besoj edhe vendimi për zhvillimin e pronës në afërsi të Xhamisë Ebu Bekr, është në të njëjtën linjë. Sigurisht, duhet marrë dhe rezulton që është marrë një leje në Bashkinë e Shkodrës.
Se çfarë mendon autori i këtyre radhëve, nuk ka aspak rëndësi, është subjektive dhe përfshirje në një temë, vendimmarrjet për të cilën, i përkasin dikujt tjetër që është edhe pronar i ligjshëm. Në këtë rast, Myftinisë Shkodër, përfaqësues i besimtarëve myslimanë të Shkodrës. Është e rrethuar kjo pronë, është përshtatur në parking apo diçka tjetër, nuk është e nuk mund të jetë çeshtje e një debati publik, aq më pak një linçimi në emër të një shumice apo pakice, të cilat edhe nëse ekzistojnë, nuk mund të jenë pjesë e imponimit apo ndërhyrjes në vendimmarrje të një komuniteti fetar.
Duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me ide dhe opinione të ndryshme, edhe nëse janë të kundërta me tonat. Të pranojmë se prona është e shenjtë, zhvillohet sipas rregullave e ligjeve të mirëpërcaktuara nga pronari i ligjshëm, pavarësisht dëshirës apo vullnetit tonë. Edhe kjo e Xhamisë Ebu Bekr, është “furtunë në gotë”, “shumë zhurmë për asgjë” sepse “Çezarit i duhet dhënë çfarë është e Çezarit”. Sigurisht, të drejtën e shprehjes, e dhënies së opinionit, duhet ta gëzojë çdokush. Vendimmarrja, është çeshtje tjetër! /Nga Blerti DELIJA/