Qeveria ka vënë dorë sërish në kriteret për përfitimin e ndihmës ekonomike, në tentativë për të mbyllur çdo hapësirë të mundshme për abuzime.
Këtë e ka bërë përmes miratimit të disa ndryshimeve të reja me anë të të cilave ka specifikuar edhe më tej kushtet që duhet të përmbushin familjarët për të qenë pjesë e skemës.
KUSHTET
Detyrimi për të raportuar mbi gjendjen ekonomike është pika e parë që ka ndryshuar. Duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, atëherë kur merr fuqi zbatuese edhe vendimi i rishikuar, familjet përfituese duhet të paraqiten në zyrën e administratorit çdo tre muaj për të plotësuar deklaratën në të cilën do të pasqyrohet situata.
Këto të dhëna do të shërbejnë si tregues për vijimin apo ndërprerjen e asistencës. Sakaq, nga skema do të përjashton për të paktën një periudhë 6-mujore ato familje, të cilat kryejnë ndarje të qëllimshme të anëtarëve. Vendimi i rishikuar parashikon që kjo masë të ndërmerret, atëherë kur do të konstatohet se vazhdojnë të jetojnë nën të njëjtën çati, pavarësisht se ligjërisht rezultojnë të ndarë.
Ky penalitet do të aplikohet edhe mbi ato familje që kanë anëtarë në moshë pune, të cilët nuk janë regjistruar në zyrat e punës apo edhe ata të cilët janë të vetëpunësuar, por që nuk e kanë deklaruar një gjë të tillë. Por, ndryshe nga vendimi i mëparshëm, kjo masë, pra ndërprerja e asistencës për një periudhë 6-mujore, nuk do të rëndojë mbi ato familje që kanë tokë në pronësi.
Një tjetër lëshim i bërë ka të bëjë me afatet e përcaktuara për tërheqjen e ndihmës ekonomike. Në vendimin aktual është caktuar një afat 10- ditor, por me vendimin e ri afati do të jetë 10 ditë pune dhe jo kalendarike, pasi mund të ndodhë që familjet të përjashtohen nga skema përkohësisht vetëm se nuk kanë mundur ta tërheqin në kohë asistencën dhe kjo jo për fajin e tyre, por për faktin që ditët përkojnë me festa zyrtare apo ditë pushimi.
PËRFITIMI
Familjet që trajtohen aktualisht dhe ato që do të përfshihen rishtazi do t’i nënshtrohen një filtri të ri. Do të jenë 52 tregues që do të diktojnë marrjen e asistencës, mbi bazën e të cilëve do të përllogaritet edhe shuma që do të përfitojë secili.
Formulari i ri i pikëzimit që përdoret për mbledhjen e të dhënave pati jo pak bujë, duke qenë se përveç informacionit bazë nga aplikantët, kërkohej edhe informacion mbi banesën, dritat, elektroshtëpiaket, gjënë e gjallë etj. Me dixhitalizimin e skemës masa e përfitimit ka shkuar nga 3500 lekë që ka qenë në 5600 lekë në muaj, por jo më shumë se 8000 lekë.
Por zbatimi i kësaj formule ka penalizuar shumë familje, duke ua hequr të drejtën e përfitimit. Prej muajsh tashmë në të gjithë vendin ka nisur një fushatë për spastrimin e listës nga abuzuesit, ndërsa zyrtarisht ende nuk ka asnjë të dhënë mbi numrin e familjeve që kanë lënë skemën.
Ndryshimet në vendimin “Për përcaktimin e kritereve, procedurave, dokumentacionit dhe masës së përfitimit të ndihmës ekonomike”.
Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë gjashtëmujore, familjet të cilat kanë në përbërje të tyre edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:
ISHTE Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes, kur nuk krijohet një kurorë e re, me përjashtim të rastit vajzë-nënë;
BËHET Pas fjalëve “… kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes …” shtohen “… që jetojnë në të njëjtën strehë ….
ISHTE Nuk tërheq ndihmën ekonomike, brenda një afati 10- ditor nga dita e depozitimit në llogarinë bankare/ kryerjes së pagesave nga Posta Shqiptare, për përfituesit e ndihmës ekonomike me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, si shëndetësore dhe fatkeqësi.
BËHET Fjalët “… brenda një afati 10-ditor …” zëvendësohen me “… brenda 10 (dhjetë) ditëve pune …”.
ISHTE Anëtarët në moshë aktive pune, të aftë për punë, nuk rezultojnë punëkërkues të papunë apo të vetëpunë- suar pranë zyrave të punës.
BËHET Anëtarët në moshë aktive pune, të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të rasteve të familjeve që zotërojnë tokë bujqësore në pronësi/ përdorim. /panorama/