Në kuadër të Ditëve të kujtesës që synojnë reflektimin mbi të shkuarën, një regjisor austriak e një shkrimtar shqiptar folën për familjarët nazistë e komunistë. Nils Olger e Bashkim Shehu u ndalën te ndikimi i biografisë në art dhe vështirësia e përballjes me të shkuarën e familjarëve.
Më 1949, 14 veta u vranë nga regjimi komunist në masakrën e Qafë Valmirit në Mirditë me një vendim të Gjykatës së Lartë mbledhur në Rrëshen pas një rekomandimi të Mehmet Shehut. 74 vite më vonë, nipi i një prej të pushkatuarve, Gjergj Marku i shtrin dorën e pajtimit, të birit të ish kryeministrit Mehmet Shehu, Bashkim Shehu.
Gjergj Marku u shpreh se Bashkim Shehu nuk ka faj për krimet e kryera gjatë regjimit komunist dhe përfshirjen e të atit në to. Përballja e pinjollit të ish kryeministrit me pasardhësin e një viktime të atij regjimi, u bë gjatë “Ditëve të kujtesës” organizuar nga IDMC.
“Është hera e parë që ne ballafaqohemi bashkë. E për rrjedhojë mbetet për t’u vlerësuar raporti yt me të kaluarën, pse jo 50 vjet por 83 vjet që mëkohemi me gënjeshtra”, tha Gjergj Marku, pasardhës i një prej të pushkatuarve. Bashkim Shehu mori pjesë në një bisedë mbi ndikimin e biografisë personale në veprat artistike, bashkë me nipin regjisor të një nazisti austriak që shfaqi filmin “Kutia e hekurt”.
Regjisori Nils Olger pasi zbuloi veprimtarinë e gjyshit të tij përkrah nazistëve, në një ekran të bardhë me shkronja të zeza, shkroi: Ai nuk është më gjyshi që kisha njohur, ai ka ndihmuar kriminelët dhe ka heshtur.
I pyetur nga pedagogia Jonila Godole për përballjen e tij personale me regjimin para dhe pas vitit 1981 kur Bashkim Shehu u dënua bashkë me familjen e tij pas vdekjes së të atit, shkrimtari e përkthyesi Shehu, foli për një dramë.
“Kjo është një dramë për mua. Por të kthehemi si e kam parë unë para 1981. Sigurisht që kam parë që nuk ishte siç e paraqiste regjimi, që ishte një regjim i bazuar mbi gënjeshtrën. Përvoja, ajo që ndodhi, domethënë burgu, kontakti me të burgosurit, natyrisht më ka kthjelluar. Pastaj normale, mbase jo normale, por i privilegjuar, nga pikëpamja materiale, por njeriu nuk jeton për gjerat materiale, ka gjëra që janë më të rëndësishme”, tha Bashkim Shehu, shkrimtar e përkthyes.
Ndërsa Gjermania njihet si shembulli më i mirë sa i takon përballjes dhe dënimit të së shkuarës së vet naziste dhe ngritjes së siteve të kujtesës, sikundër vëmendjen ndaj çdo elementi që e glorifikon atë, Shqipëria në anën tjetër, bën krejt të kundërtën. A ka të bëjë kjo me vazhdimësinë e elitave, apo me trashëgiminë politike në vend?
“Si e kam përjetuar, e kam përjetuar edhe para 1990-ës, edhe përpara burgut do të thosha. Për mua është një drama që një njeri kaq i afërt si babai, një njeri që më ka dhënë jetën, ka kontribuar në marrjen e jetës së të tjerëve, ose në shkatërrimin e jetës së të tjerëve, kjo është një dramë për mua. Letërsinë natyrisht nuk e kam përdorur për këtë gjë, pavarësisht se kam edhe gjëra biografike”, tha Bashkim Shehu. Si është e mundur që nëse kërkojmë të dimë se kush u distancua nga komunizmi, në mendje na vijnë Liri Belishova e Bashkim Shehu, por jo pinjollë të tjetër a familje të tjera të ish nomenklaturës?
“Tani nuk e di, mund të them këtë nisur nga përvoja personale, është e vështirë, nuk është kollaj, nuk është një fjalë goje, të përballësh me të kaluarën e prindit tënd, për atë që kanë bërë. Them se është e vështirë. Sa ka ndikuar kjo e sa ndikon në shoqëri, nuk di pse, dhe njerëzit nuk kanë pse shohin e marrin shembull fëmijët e ish pushtetarëve dikur”, u shpreh Bashkim Shehu. Ai sqaroi se nga ana tjetër: “Se si perceptohet nga një brez në tjetrin, ata që nuk e janë përballur me të kaluarën e tyre vetë, krijojnë një imazh tjetër dhe nuk marrin përgjegjësi për aq sa kanë në masa të ndryshme. Nuk po marr vetëm majat e pushtetit. Po flas për të gjithë. Dikush ka qenë bashkëpunëtor pasiv e dikush aktiv, dikush viktimë pasive. Por në një mënyrë ose në një tjetër totalitarizmi këtë bën, që i ingranon të gjithë. Kjo është e vështirë, për t’u çliruar nga totalitarizmi dhe ngaqë nuk kanë arritur ta bëjnë mendoj unë, njerëzit shpikin një të kaluar tjetër, kjo ju përcillet brezit tjetër, domethënë fëmijë të tyre, nipërve”.
Kaosi shqiptar që luhatet mes një pothuaj veneracioni ndaj figurave komuniste a pasardhësve të tyre familjarë a shpirtërore, sikundër zëdhënëse të çdo forme, shpjegon tranzicionin e pambarimtë, dhe pasojat që shfaqen pa ngurrim në trashëgimitë artistike, shpirtërore e administrative ndërsa ruajmë në krye ata që ishin.