Në seancën e fundit plenare Deputeti i Partisë Demokratike Zef Hila thirri në interpelancë ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në lidhje me qendrën sociale “Besa” në Barbullush.
Deputeti Hila i parashtroi pyetje ministres Manastirliu nëse është në dijeni për shpërdorimin e fondeve publike nga buxheti i shtetit dhe plotësimin e nevojave të të moshuarve që janë të strehuar në këtë qëndër ku sipas deputetit është e vetmja qendër pa standarte dhe se nuk ka marrë vëmendjen e duhur.
Në përgjigje të interpelancës së thirrur nga deputeti i Partisë Demokratike të Shkodrës, Zef Hila, Manastirliu theksoi se qendra sociale “Besa” në Barbullush, bashkia Vau i Dejës, është një qendër multifunksionale dhe ofron shërbim për 25 të moshuar rezidentë.
Qendra “Besa” ka filluar veprimtarinë e saj në vitin 2015, si një qendër multifunksionale ku ofrohen shërbime të përkujdesit komunitar/ditor dhe rezidencial për të moshuar e licencuar për të dy këto shërbime në vitin 2015.
PUBLIKIMI I DEPUTETIT ZEF HILA NË FACEBOOK
Të dashur qytetarë të Bashkisë Vau Dejës,
Po ju paraqes me poshte me video, pjese nga fjalimi im i mbajtur sot në Kuvendin e Shqipërisë, përballë Ministres Znj.Ogerta Manastirliu, për Qëndrën Sociale Rezidenciale “Besa” në fshatin Barbullush në Bashkinë Vau Dejës.
E verteta e hidhur, eshte se ky institucion po degradon çdo ditë dhe e kam ftuar vetë ministren që ta vizitojmë së bashku këtë qëndër, që e krijuam në vitin 2015, për t’i shërbyer banorëve të Bashkisë Vau Dejës ndërkohë që sot është në situaten më të keqe, si pasojë e keqmenaxhimit te saj.
Kjo Qendër, është ndërtuar në vitin 2015, si e vetmja e këtij lloji ne Bashkinë Vau Dejës. Është një nga inisiativat më të mira, që kam bërë jo vetëm për shkak të detyrës, por e kam bërë me zemër, për t’iu ofruar të moshuarve të pa mbështetje, një shërbim dinjitoz. Me atë vend, me atë zonë dhe me ata njerëz, kam një marrëdhënie respekti, besimi dhe shërbimi, që ka filluar para 25 vitesh dhe vazhdon edhe sot.
Unë i kam respektuar dhe shërbyer e ata më kanë besuar. Aktualisht në Qendër punojne njerëz të pakualifikuar, pa eksperiencë, pa lidhje me shërbimet e përkujdesjes shoqërore, ka punonjës që nuk paraqiten fare në vendin e punës, e ka punonjës, që rezultojnë të punësuar edhe në kompani private. Në kohën kur shërbimi ofrohej me katering, në organikë kishte të punësuar kuzhinier.
Ndërsa prej Gushtit 2022, që është kaluar me blerje të produkteve ushqimore, në organikë nuk rezulton i punësuar asnjë kuzhinier. Pra, kësaj Qendre i duhen 3 sanitare dhe 3 roje, por nuk i duhet një kuzhinier që të përgatisë ushqimin!
Qendra ka 18 punonjes, dhe të paktën 1/3 e organikës së këtij institucioni, jane punonjes te pakualifikuar, ndërkohë që ligji parashikon që fondi i kushtëzuar duhet të përdoret vetëm për shërbime të kualifikuara dhe profesionale. Këto janë çështje të cilat prekin thelbësisht Buxhetin e Shtetit, paratë e taksapaguesve shqiptarë.
E ftova zj.Ministre, publikisht që të shkojmë së bashku një ditë në Qendrën Sociale “Besa” duke ftuar edhe mediat që të bëhet transparencë për publikun. Nëse ato që shpreha në sallën e Kuvendit, janë të pavërteta, publikisht zotohem se dorëzoj mandatin e deputetit.
Nëse dalin ashtu siç them unë, nuk kërkoj gjë tjetër nga ana juaj, veçse të merrni masat e nevojshme që paratë e taksapaguesve të shkojnë për më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe jo për punësimin e militantëve politikë.