Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar qeverinë se nuk i ka kushtuar vëmendje për investime qarkut të Shkodrës. Sipas tij, “Rilindja” ka asgjësuar qendrën më të madhe administrative të Veriut duke larguar disa nga institucionet më të rëndësishme, duke nisur që prej gjykatave. Deklaratat e tij Meta i ka bërë në emisionin “Tonight” të gazetarit Blerti Delija në Star Plus Televizion.
Meta: Është për të ardhur keq, është një trishtim i madh që Rilindja nuk i ka kushtuar vëmendjen e merituar Shkodrës, sepse të asgjësosh qendrën më të madhe administrative të Veriut të Shqipërisë dhe një nga 3 qendrat më të mëdha administrative të vendit, mendoj që nuk është rastësi, por është me vetëdije një përpjekje për të zvogëluar peshën e Shkodrës në zhvillimet aktuale dhe sidomos në zhvillimet e ardhshme të vendit. Si mund të iki drejtoria e Arsimit nga Shkodra. Shkodra është një djep i arsimit, së bashku me Korçën. Si mund të iki drejtoria e Shërbimit Informativ nga Shkodra? Si mund të ikin Arkivat nga Shkodra, kur dihet shumë mirë se cfarë pasurie kanë patur dhe kanë arkivat e Shkodrës, dhe nuk mundet kurrsesi që arkivat e Shkodrës të menaxhohen nga një qytet më modest. Si mund të iki Bordi i Kullimit dhe Agjencia e Ujërave nga Shkodra?
Shkodra është rajoni ujëmbledhës më i madh i Shqipërisë dhe i gjithë rajonit. Janë specialistët më të mirë të Shqipërisë historikisht dhe ne duhet të investojmë në Shkodër dhe sidomos tek të rinjtë shkodranë që të specializohen dhe të vazhdojnë në këtë rrugë dhe këtë pasuri të madhe duhet ta shfrytëzojmë për mirëqenien e komunitetit dhe për zhvillimin ekonomik. Si mund të ikin këto institucione nga Shkodra.
Është një marrëzi e vërtet dhe e qëllimshme. Si mund të mbetet Shkodra pa gjykata? Hiqet Gjykata e Apelit, hiqet Gjykata Administrative, hiqet Gjykata e Shkallës së Parë? Ku do shkojnë këta njerëz? Ku do i zgjidhin hallet e tyre? Dhe jo vetëm hiqen këto institucione, hiqen këto shërbime që jua bëjnë të vështirë jetën qytetarëve të Shkodrës, por hiqen nga puna intelektualë dhe profesionistë. Kujt i shërben kjo? Të mos harrojmë dhe Universitetin. Nga 12 mijë studentë është katandisur në më pak se 5 mijë studentë. Të gjitha këto janë veprime të qëllimshme të Rilindjes për t’i zbehur rëndësinë Shkodrës sot dhe në të ardhmen.
Duke u ndalur tek zgjedhjet e 14 majit, Meta shprehet i bindur se opozita do të fitojë shumicën e bashkive të vendit sëbashku me këshilltarët.
Meta: Tani është një betejë e vërtetë edhe në këtë betejë të vërtetë do të triumfojë e vërteta. Opozita është e papërmbajtshme, do ta shikosh si do të shkojnë lumë në qendrën e votimit dhe do të shikosh dhe si do të votohet edhe vetë socialistët e ndershëm. Sepse këta çfarë kanë bërë? Gjithë korrupsionin e tyre e kanë përqendruar si të korruptojmë ne ca drejtues të opozitës, si të korruptojmë ne të mbajmë ca deputetë të opozitës, me këta të pak si zhurmë ne. Si të blejmë ne ca njerëz jo të Partisë së Lirisë, jo të PD e kështu me radhë. Dhe i kanë lënë fare pas dore socialistët e thjeshtë të cilët janë dhe dëshmitarët okularë të një korrupsioni të paparë dhe të padëgjuar që bëjnë shefat e tyre rilindas, pa asnjë kontribut në të kaluarën në Partinë Socialiste.
Të jeni i sigurt që përmbysja ka ndodhur dhe po ndodh me ritme të jashtëzakonshme çdo ditë. Të jeni të sigurt që opozita i ka të gjitha votat e saj dhe ato do të jenë të paprekshme dhe të pacënueshme dhe askush të mos ëndërrojë që të vërë dorë mbi votat e opozitës. Iku koha kur pas humbjes fillonte fitorja. Tani fitorja është në duart tona, të popullit shqiptar, të popullit opozitar edhe atë nuk na e merr dot askush ne nga dora. Çdo standard shërbimesh në Tiranë është përkeqësuar dhe është rënduar. Që nga trafiku, që nga ndotja, që nga infrastruktura.
Vetëm të shkonit një moment në Astir ju, Astiri është bërë një qytet më vete dhe do të vini duart mbi kokë. Ashtu si Astiri është 80-90% e Tiranës. Taksat janë rritur, transparenca është zero, kështu që, kudo ka një padurim për ndryshim, nuk kanë çfarë të presin më, nga kryetarë bashkie që kanë nga 8 vjet të cilët kanë prodhur vetëm mungesë transparence dhe vetëm skandale. Nuk e harron Tirana atë që i ndodhi me Teatrin Kombëtar, që iu shemb në mënyrë të paligjshme, që iu shemb natën dhe në kohën e pandemisë, duke i rrezikuar jetën e artistëve dhe shoqërisë civile. Dhe përse? Për korrupsionin e kullave të tyre. Nuk harron Tirana dhe shumë çështje të tjera. Kështu që të jeni të sigurt ju, që Shqipëria në 14 maj do t’i thotë po ndryshimit dhe në radhë të parë kryeqendrave. Aq më tepër që kandidatët e opozitës janë të shkëlqyer.
Në Tiranë, Belind Këlliçi një figurë e re që lë mandatin e deputetit edhe ka të gjithë të drejtën morale të provohet nga qytetarët e Tiranës dhe është një model i ri bashkëpunues. I një politikani që përfaqëson një gjeneratë të re. Në Durrës, Igli Cara një profesionist, një figurë qytetare me eksperiencë i cili ka të drejtën të provohet. Në Elbasan, Luçiano Boci një intelektual, një profesor i njohur dhe në nivel kombëtar që edhe ai lë mandatin e deputetit që e ka fituar duke thyer herësin duke marrë 12 mijë vota në atë situatë që ka qenë në Elbasan, që ne e dimë shumë mirë që mbretëronin bandit.
E bën këtë sepse do qytetin e tij dhe sepse ka besim absolut tek fitorja. Kështu që opozita është superiore në të gjitha drejtimet. Edhe në numër kryetarësh unë jam i bindur që opozita do të jetë shumicë por mbi të gjitha vota popullore do të jetë një shumicë dërrmuese, sidomos në tre qendrat kryesore që unë i njoh dhe më mirë se jam vazhdimisht në terren, në Tiranë, Durrës dhe Elbasan fitorja e opozitës do të jetë shumë e qartë.