“E bëra se desha, nuk jam penduar”. Kjo është dëshmia e dhënë nga Dan Hutra në polici, pas vrasjes së 3 grave në Tiranë, ngjarje që tronditi kryeqytetin ditën e djeshme.
40-vjeçari u arrestua në zonën e Sharrës në Tiranë pas 7 orësh ndjekje nga ana e policisë së Tiranës. Ai u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës ku është marrë edhe në pyetje.
I pranishëm ishte dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Dan Hutra fillimisht ka plagosur ish të dashurën e tij, shtetasen Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit në Tiranë, e cila fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz”, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.
Shtetasi Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.