Si sot, më 5 mars 1945, u pushkatua martiri i Kishës katolike shqiptare, i Lumi dom Lazër Shantoja. Ishte bir i traditës katolike të Shkodrës, qytetit më përfaqësues në lëmin e kulturës shqiptare. U rrit e u formua, si njerí e si meshtar, në Institutin Papnor të qytetit të tij e në universitetin e Insbrukut të Austrisë. Zu rrënjë e hodhi shtat në traditën e klerit katolik që kishte patur rolin parësor në ruajtjen, kultivimin dhe përforcimin e identitetit kombëtar e të kulturës së shqiptarëve, në qindvjetorët e gjatë të pushtimit osman.
Dom Lazër Shantoja, në listën emartirëve shqiptarë, në rend kohor, qe meshtari i praë që u arrestua nga regjimi komunist, në ditët e para të dhjetorit të vitit 1944, pak ditë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, dhe, tre muaj më vonë, qe meshtari i parë që u pushkatua. Martiri parë i një aradhe martirësh që për dashuri e fe ndaj Krishtit e ndaj Atdheun, flijuan jetën për Zot e popull.
I Lumi dom Lazër Shantoja (Shkodër, 02. 09. 1892- Tiranë, 02. 02 1946) meshtar e atdhetar i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë, gjë që nuk munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, në sa ishte në moshën 54 vjeç.
Na duket si t’i kish shkruar për vete vargjet, kushtuar atdhetarit në zë, Imzot Gjergj Kolecit: “Sot kështu t’ shpërblen ty bota! Po mizore/ e padrejta s’sundon deri në t’ sosun t’ motit./ Koh’ ka për t’ardhë që ty kjo tokë arbënore/ dikur tash ka për t’ njoftë, o njeri i Zotit”//.
Dom Lazër Shantoja jetoi në mërgim plot 15 vjet: stinën më të mirë të jetës së tij. Fliste, lexonte e shkruante latinishten e greqishten, gjermanishten, frëngjishten e italishten. Qe ndër të parët shqiptarë që mësuan esperanton. Por kujdesin më të madh e kishte për të përsosur shqipen, si mjeti i tij kryesor letrar e estetik. Mësoi shumë prej së ëmës, që e shoqëronte në ravgimet e mërgimit e që fliste një shkodranishte të përkryer, me ngjyrime të gjalla e fisnike. Vuante nga brenga për shqipen, nga malli për atdhenë e gjithçka lidhej me të.
Pas pesëmbëdhjetë vjetësh mërgimi, Shantoja u kthye në Shqipëri në një kohë të zgjedhur keq. U vendos në Tiranë me nënën, librat e pianofortin. Si i internuar nga Zogu, u afrua me rrymat politike të periudhës së pushtimit italian. Po kjo periudhë nuk ka të bëjë me martirin e Krishtit, për të cilin po flasim. Nuk i takon gjyqit të Zotit, por të historianit!
Në dhjetor të vitit 1944, ndërsa jepte e merrte në shtypshkronjë me korrekturën e bocave të botimit të plotë të “Faustit”, u arrestua. E torturuan në mënyrë çnjerëzore. I thyen krahët, i sharruan eshtrat e këmbëve, e ai ecte duke u hequr zvarrë mbi bërrylat e gjunjët. Xhelatët e kuq, për terror psikologjik të dyanshëm, e lejuan të ëmën ta vizitonte dhe plaka e mjerë, duke e parë të birin në atë gjendje, iu lut rojeve të burgut: “Vritnje, keni mëshirë për tê e mos e leni me vuejtë ma kështu!”.
Dhe ata nuk vonuan ta vrisnin. E pushkatuan në fushat e shkreta të Tiranës, e flakën në një gropë pa emër, pa shenjë kryqi, duke shkruar me gjakun e tij një nga kapitujt më të turpshëm në librin e pashkruar të torturave, që komunistët nuk ngurruan të përdorin mbi kundërshtarët e vet, posaçërisht mbi klerikët, duke e ditur mirë se kishin përballë njerëz të armatosur vetëm me kulturë e uratë.
Shumë kanë bërë pyetjen: “Pse komunistët janë sjellë aq barbarisht me shkrimtarin e madh meshtar që, i shtyrë nga dashuria e pakufishme për atdhe, kishte lënë Zvicrën e begatë e të qetë, për t’u kthyer në mjerimin shqiptar, ku, kur e arrestuan, jetonte pa u impenjuar, në pragun e rrymave politike, që turbullonin vendin.
Shpjegimi është vetëm një: komunistët shqiptarë, antiperëndimorë, antikristianë, e urrenin dom Lazrin që, i lidhur me traditat më të shëndosha autoktone, krijoi një vepër të përshkuar nga parimet e krishterimit e të qytetërimit më të kthjelltë perëndimor.
Gjenialiteti i tij, sa shqiptar, aq edhe kristian e evropian, i acaronte komunistët e në të njëjtën kohë, i frikësonte, mbasi në veprën e tij shikonin një instrument, që do të depërtonte lehtësisht në zemrat e njerëzve, sidomos të rinisë. Prandaj, si e torturuan, i dhanë një plumb në zverk.
Vepra i mbeti e hapërdarë nëpër të përkohshme të ndryshme, si “Ora e Maleve”,, “Përparimi”, “Agimi”, “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Cirka”, “Grueja shqiptare”, “Illyria” e “Ora e Shqipnisë”, në një pritje të pafat gjysëmshekullore, derisa u bashkua në një vepër të vetme, titulluar “Vepra” (mars, 2002).
Por, duke u përpjekur për ta vrarë për herë të dytë me heshtje, lavdia e tij nuk humbet asgjë. Humbet e jona e humbje kanë letrat shqipe e kultura shqiptare, e cila i mohon dashtas vetes një varg gurësh të çmueshëm, që shndrit e zbukuron padyshim kurorën e letërsisë shqipe – sipas gjykimit të kritikut kosovar Shpend Shpata.
Qëndrimi që mbahet ende sot ndaj Shantojës, mund të shpjegohet vetëm me konkluzionin e hidhur në të cilin arriti Atë Gjon Shllaku në “Fatosave të harruem”: Tjetërkund njerëzit e idealit, në u vrafshin për së gjalli, nderohen për së dekuni. Ndër né ata vriten dy herë; edhe harrohen… Një komb që lindet ka nevojë për fatosa që desin. Por fatosat që desin nuk kanë ç’të bâjnë në një komb që i harron e i përbuzë”.
Dy fjalë për veprën
Dom Lazri qe poet, dramaturg, prozator, publicist, orator, përkthyes i talentuar. Krijimet e para të Shantojës, poezi satirike, botuar te “Ora e Maleve”, prekin problemet më të mprehta të kohës. Janë satira militante, që vihen fuqimisht në mbrojtje të shtetit të ri e të brishtë demokratik shqiptar.
Dom Lazër Shantoja la një numër të madh veprash, të cilat janë mbledhur me zell e përkushtim nga Arben Ndreca në dy vëllime me qindra faqe, që përmbledhin jo vetëm veprat e njohura, si “Për natë kazanash”; përkthimet e “Faustit” dhe “Hermani e Doroteja” të Gëtes e “Vilhelm Telit” të Shilerit, por edhe shkrimet e tij të shumta, shpërndarë ndër gazeta e revista të kohës, si “Leka”; “Cirka”; “Zani i Shëna Ndout” e sidomos tek “Ora e maleve”, ku bashkëpunoi ngusht me Atë Harapin, Atë Fishtën e Luigj Gurakuqin.
Më 1920 poeti botoi te “Zani i Shna Ndout” ciklin me tingëllima “Duhia” në të cilin bëjnë pjesë: “Duhia”, “Lamtumira”, “Kështjelli” dhe “Baria”, kushtuar atdhetarit në zë, Imzot Gjergj Kolecit. Janë krijime romantike, që evokojnë të kaluarën në shërbim të formimit të ndërgjegjes kombëtare të njeriut shqiptar. Vepër më shumë militante, sesa poetike, kjo e fillimit mund të quhet refleks i drejtpërdrejtë i botës shpirtërore shqiptare gjatë proceseve të përkryerjes kombëtare. Shkrirja origjinale e pasionit dhe e mallit të individit me etjen kolektive për liri e drejtësi, kumbon tek thirrja ngushëlluese: “Sot kështu t’ shpërblen ty bota! Po mizore/ e padrejta s’sundon deri në t’ sosun t’ motit./ Koh’ ka për t’ardhë që ty kjo tokë arbënore/ dikur tash ka për t’ njoftë, o njeri i Zotit”//.
Një cikël tjetër tingëllimash ëshë tubëza “Zog mali”. Sërisht brenda traditës romantike shqiptohen në të dhimbjet, që burojnë nga gjendja e njeriut shqiptar. Meritojnë të kujtohen poezitë “I burgosuni e flutura”; “Për një puthje të vetme” (botuar së pari te “Shkëndija” e Ernest Koliqit (nr. 2, f. 47-51, 1944) me pseudonimin Lilian e ribotuar te “Drita” në gusht 1993 nga Aurel Plasari, shoqëruar nga një analizë e hollësishme e mjeshtërore me titull “Një pleduari për poetin Lazër Shantoja” dhe poezia “Vorri i harruem”. Kjo e fundit është një kryeveprër elegjiake, që mund të krahasohet vetëm me “Një Lule vjeshte” të Fishtës. E shkruar me shtatë rrokësha të dyzuar, me nota tronditëse lirike e dramatike, me mjete shprehëse të qëlluara, që flasin për një mjeshtri të rrallë poetike, ndryn brenda misterin e jetës, të vdekjes e të amshimit.
Dominon mbi gjithë krijimin simboli i Krygjës – shenjës së shëlbimit: “Pusho nën rrasë të vorrit – o e mjera vasha ime,/ Porsi një ditë e vogël, – t’nanës sate nën shikime,/ N’djep u përkundshe, e mjer’! – Pusho në ket vorr pa droje:/ Ké n’shej t’dashtnís, t’përdlimit – krygjën e Zotit n’roje…//”. Është për të ardhur keq që ketë brilant poetik të lirikës së krishterë shqiptare, sot e njeh pak e kush.
Te poezia e Shantojës bien në sy prirjet novatore, karakteristike për një rrymë të re që po lindte në letërsinë tonë, të cilën historiografia zyrtare e letërsisë e ka kaluar rrëshqimthi duke e cilësuar si “dekadente”. Në të vërtetë, kjo rrymë përfaqësonte kalimin nga tradicionalizmi romantik te një neoromatizëm simbolist, që strukturonte në mënyrë të paparë arritjet e deriathershme të poezisë. Përsa i përket kësaj rryme, Shantoja e Koliqi patën edhe meritën që, duke qenë përfaqësues të “shkollës poetike gege”, në një moment të caktuar të zhvillimit, kuptuan rrezikun, që po i krijohej asaj në gji: shkolla gege rrezikonte të binte pré e inercisë konservatore. “Periudha e artë” e saj ishte në kapërcim e sipër.
Në këto kushte poetët më të shquar gegë, u prirën drejt modernizimit. E ndër to, dom Lazër Shantoja, ndoshta edhe prej faktit se, në mërgim u takua drejtpërdrejt me poezinë evropiane. Prej këndej, qe më moderni më vetjaku nga të gjithë.