Të dashur mësues, misionar të dijës, në këtë ditë të veçantë, më lejoni që në emër të Partisë Demokratike t’ju uroj të gjithëve gëzuar 7 Marsin.
Vërtet sot vendoset në qendër figura e mësuesit dhe arsimit shqiptar, por puna juaj me përkushtim dhe plot sakrifica në edukimin dhe formimin e brezave, ka dëshmuar se në cdo të ditë të vitit ju jeni heronjtë e dijes.
Duke uruar këtë ditë, sigurisht nuk mund të mos ndalemi edhe tek ato të vërteta që i bashkëndajmë me ju, e të cilat nuk mund të rrijmë pa i thënë. Ky 7 mars nuk e gjen arsimin shqiptar dhe figurën e mësuesit në ditët më të mira siç duhej të ishte në fakt. Shqetësimet që kanë mësuesit dhe problemet që përballen çdo ditë nisin që nga pagat tuaja, e deri tek pasiguria në punë, në këtë mision fisnik për të edukuar brezat e të ardhmes.
Në vitet e fundit dhjetra shkolla janë mbyllur në çdo qytet të Shqipërisë dhe natyrshëm këtu nuk bën përjashtim as Shkodra. Familjet e reja shohin si mundësi të vetme emigrimin për shkak të pamundësive nga keqqeverisja e kryeministrit Rama. Kryeministri në ikje është shkaktari kryesor i dhimbjes së madhe që po kalon arsimi në Shqipëri me shkolla që mbyllen çdo ditë, e klasa ku numri i nxënësve reduktohet në mënyrë të frikshme.
Rënia e numrit të nxënësve tashmë nuk është prezente vetëm në fshatra të njësive administrative por edhe në qendra qytetesh. Kjo është një fatkeqësi për Shqipërinë dhe ka vetëm një zgjidhje, largimin sa më parë të qeverisë së Edi Ramës që bashkë me arsimin po shkatërron gjithçka në vend.
Emërimet politike përmes skemave të kamufluara të portaleve dhe lënia jashtë sistemit e mësuesve të ndershëm është një shqetësim i madh që ka arsimi shqiptar sot. Kjo metodë shkatërrimtare ndaj shkollave duhet dhe do të marrë fund sa më parë, duke i rikthyer dinjitetin e munguar gjithë këto vite figurës së mësuesit.
Pagat e mësuesve vijojnë të jenë qesharake dhe më të ultat në Rajon. Kjo vjen vetëm për një arsye. Është mëse e qartë se arsimi nuk është një prioritet i qeverisë.
Ashtu si në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme që kanë pësuar një dëm të parikuperueshëm nga politikat pa vision të kësaj qeverie, edhe arsimi i lartë përballet me një sërë problemesh të cilat kërkojnë zgjidhje emergjente. Degë që po mbyllen apo të tjera që kanë mbetur me pak studentë. Buxhete të munguara për universitetet dhe kërkimet shkencore, paga që po detyrojnë edhe pedagogët të emigrojnë dhe një mungesë vëmendje e pafalshme e qeverisë shqiptare.
Për të gjitha këto, Edi Rama dhe qeveria e tij në ikje do të japin llogari përpara shqiptarëve për këtë shkatërrim të arsimit në vendin tonë. Arsimi meriton një vëmendje të veçantë duke nisur që nga shkollat 9-vjeçare e deri tek arsimi i lartë. Partia Demokratike do ta realizojë këtë duke i rikthyer dinjitetin, shkollave, universiteteve, mësuesve e pedagogëve ! /Deklaratë e PD- së Shkodër, lexuar nga anëtarja e Kryesisë Blerina KRAJA/