I mandatuari i Malit të Zi për formimin e qeverisë, Demos Miodrag Lekiç ditën e djeshme u ka dërguar një letër liderëve të shumicës parlamentare të cilëve u kërkon informacion për të ditur nëse ka mbështetje të mjaftueshme për formimin e qeverisë së drejtuar nga Dritan Abazoviç.
Lekiç ka deklaruar se edhe pse ende ka statusin e të mandatuarit, nuk do ketë pengesa për formimin e qeverisë me në krye Dritan Abazoviçin nëse ky i fundit arrin të formojë shumicën qeverisëse.
“Duke pasur parasysh se takimi i djeshëm që kam caktuar nuk ka pasur përfundim e aq më pak rezultat politik, jam i detyruar që për shkak të statusit ende të mandatuar t’u drejtohem kolegëve të mi. Takimi i djeshëm është ndërprerë me qëllim që kolegu Abazoviç të shikojë mundësitë e gjetjes së emrave të deputetëve që do ta mbështesin qeverinë me të në krye në parlament në një numër të mjaftueshëm, pra 41. Për sa më sipër, kërkoj një përgjigje për situatën e fundit në lidhje me mazhorancën e mundshme të gjetur që do ta mbështeste kolegun Abazoviç për formimin e qeverisë. E përsëris se për disa arsye nuk jam pengesë për këtë”, tha Lekiç në fjalimin e tij para liderëve të shumicës parlamentare.
Që prej 28 prillit të vitit të kaluar, Dritan Abazoviç ka drejtuar qeverinë e Malit të Zi pasi arriti të merrte 45 vota nga deputetët në parlament. Në mocionin e mosbesimit të mbajtur në 19 gusht në parlamentin malazez, me shumicë votash u rrëzua qeveria e kryesuar nga Dritan Abazoviç.