Ditën e sotme, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi i ka lënë 48 orë kohë PD- së së Bashës që të bëjë plotësimet e nevojshme për regjistrimin e këtij subjekti në zgjedhjet e 14 maj 2023. Kërkohet që Basha, meqenëse figuron në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë “de jure” si kryetar i PD- së, duhet të firmosë autorizimin për Alibeajn që të përfaqësojë këtë subjekt për regjistrimin në KQZ por edhe deklaratën për impenjim për një fushatë të pastër dhe brenda rregullave etike, morale e ligjore.
Por a mund të firmosë Lulzim Basha, tashmë zyrtarisht prej muajsh i dorëhequr si kryetar i PD- së, dokumente që duhen depozituar në KQZ dhe që të kenë vlerë juridike? Përgjigja është e thjeshtë dhe e shkurtër: Jo!
Basha firmosi kalimin në administrim të Alibeajt e Bardhit të PD- së, 3 ditë para dorëheqjes së tij. Në ato momente, pavarësisht çdo aludimi, në bazë të Statutit të PD- së, kishte të drejtë të delegonte kompetenca. Por a mund të firmosë sot, kur po mbushet viti nga dorëheqja e tij publike?
Dilema e madhe është: A konsiderohet i dorëhequr sot Lulzim Basha, edhe pse në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, rezulton akoma si kryetar i PD– së? Për të dhënë përgjigje, sherben një ligj shumë i rëndësishëm, Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë. Në nenin 13 të këtij ligji, përcaktohet saktë, shkurt dhe qartë: “Faktet e njohura botërisht ose zyrtarisht nuk ka nevojë të provohen”.
Është një fjali që nuk lë vend për asnjë ekuivok. Me 21 mars 2022, Lulzim Basha, me një fjalim rreth 6 minuta, njoftoi me zë dhe figurë dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD- së. Ka firmosur apo nuk ka firmosur një shkresë, dorëheqja e tij është një fakt i njohur botërisht, i cili edhe sot mund të konstatohet në qindra lajme e publikime.
Nga ana tjetër, Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë saktëson në nenin 1 të tij se “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisëcakton rregulla të detyrueshme, të njëjta e të barabarta, për gjykimin e mosmarrëveshjeve civile e të mosmarrëveshjeve të tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta.Gjykata nuk mund të refuzojë të shqyrtojë dhe të japë vendime për çështjet që i paraqiten për shqyrtim, me arsyetim se ligji mungon, nuk është i plotë, ka kundërthënie ose është i paqartë.”.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Celibashi, mund të pranojë plotësimin e dokumentacionit të PD- së së Bashës për regjistrimin në KQZ për “14 majin”. Ai është organ monokratik, me vetëm një person dhe sigurisht nuk ka asnjë atribut gjykate por thjedht e vetëm administrativ. Me gjasë, çeshtja e regjistrimit të PD- së së Bashës në KQZ, do të kalojë në ankimim në Kolegjin Zgjedhor, i përbërë nga gjyqtarë dhe me atribute gjykate.
Kolegji Zgjedhor nuk mund ti shmanget zbatimit të ligjit “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, nëse PD e Bashës do të ankimojë atje mosregjistrimin nga Celibashi. Sepse ky i fundit e ka deklaruar se ka mangësi në dokumentacion. Ndoshta jo për autorizimin që Basha i ka lëshuar Alibeajt por për deklaratën personale (jo të deleguar) “Deklaratë e angazhimit solemn të kryetarit të partisë”, kryetari i dorëhequr është i detyruar ta firmosë.
Nga ana tjetër, parimi ligjor “Faktet e njohura botërisht ose zyrtarisht nuk ka nevojë të provohen”, duhet zbatuar si gjykatë nga Kolegji Zgjedhor, duke përcaktuat definitivisht se Lulzim Basha nuk është kryetar i PD- së, pavarësisht një shkrese të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Në këto kushte, pas PD- së së Berishës edhe ajo e Bashës do të jetë jashtë garës së 14 majit 2023. /Nga Blerti DELIJA/