Pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta Tereza Marubi, një nga pinjollet e dinastisë më të famshme shkodrane e shqiptare të fotografisë. Familja shkodrane Kodheli, trashëgoi mbiemrin, profesionin e pasionin e italianit Pietro Marubbi, i cili rreth vitit 1850 mbërriti në Shkodër, duke i dhënë jetë dinastisë së mirënjohur.
Tereza ishte bija e fotografit Gegë Marubi, i fundmi i dinastisë, ndërsa ajo “u mbruajt me fotografinë që në moshë të vogël, në studion e familjes, e në vitet 2004-2010 punoi si specialiste kimiste për mbrotjen e negativëve pranë Fototekës Marubi”, lexohet në një publikim në Facebook të Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.
Dinastia Marubi ishte dëshmitare dhe përçuese e ngjarjeve më të rëndësishme të Shqipërisë, duke lënë si trashëgimi mbi 200 mijë negativë filmi dhe fotografi, të cilat përbëjnë mbase visarin më të shquar të vendit tonë.
Në vitin 1972, u zhvillua farsa e faljes (dorëzimit) nga Gega organeve shtetërore të Fondit Marubi prej rreth 200.000 fotografish në letër, xhama dhe negativa (celuloid). Diçka të papëlqyeshme për diktatorin mendohej se kishte brenda tij, prandaj, ndoshta, u kërkua fondi, i cili u muarr nga përfaqësuesit e shtetit pa process-verbal dhe pa numërim. Shpejt u inskenua edhe letërkëmbimi i shtirë, i shplarë, por i detyruar i fotografit plak me diktatorin që mbushi faqet e shtypit të vetëm shtetëror.
ShkodraWeb shpreh ngushëllimet e veta për këtë humbje të madhe për familjen Marubi.