Ditën e neserme, e diel, 12 mars 2023, është njoftuar protesta e dytë për rrugën e Dukagjinit. Pas protestës së parë me 20 shkurt, protesta e dytë pritet të ketë një pjesëmarrje më të gjërë.
Kjo ditë e protestës së dytë, ka një koençidencë me një ngjarje të ndodhur me 12 mars, 16 vite më parë. Atë e ka sjellë në vëmendje Mark Rupa, një ndër organizatorët e kësaj proteste. Në një shënim në rrjetet sociale, Rupa shkruan:
“Dita e zezë e 12 Marsit 2007! Nesër 16 vite ma parë humbën jetën në aksident rrugor në rrugën e Dukagjinit:
Gjok Uka, Kristian Kola, Elsa Zefi, Kushe Zefi, Kol Doda, Pjeter Leka, Mark Ndre Marku, nusja e djalit të tij, Zoj Mhill Marku, 35 vjeç, dhe të afërmit Gjergj Lulash Marku, 40 vjeç dhe Shkurte Bardhaj, 25 vjeç. U thane shumë zemra nanash e baballarësh e mbetën shumë fëmijë jetima. Pushofshin në paqe! Jetë të gjatë, forcë dhe prosperitet atyne që lanë mbrapa!
Të mbijetuarit Fran Çuni, Gëzim Carina, Marketin Kola, ne atë kohë 40, 15 dhe 16 vjec do të jenë nesër me ne në protestë. Shumë jetë të tjera të humbuna përpara dhe mbas asaj date të zezë!
Nesër populli kërkon përsëri llogari për rrugën, për diskriminimin dhe izolimin e Dukagjinit! Nesër me 12 Mars 2023 të gjithë në protestë në orën 11.00 para Bashkise dhe Prefekturës Shkodër. Dukagjini kërkon rrugën!”, shkruan Mark Rupa në publikimin e tij në Facebook.