Mirel Josa e ka cilësuar barazimin e sotëm të Vllaznisë ndaj Partizanit si një sfidë ku skuadra ka bërë maksimumin për të fituar. Pas ndeshjes, ai foli edhe për dëmtimin e rëndë të Malës, si dhe për situatën e Latifit të pezulluar.
“Mala ka shkuar në spital, ka bërë grafi. Sipas përgjigjeve që na kanë dhënë doktorët, ka një thyerje me zhvendosje në klavikul. Të shohim se si do të trajtojnë mjekët problemin e vendosjes, me operacion apo vetëm me lidhje.
Jo se jemi të kënaqur nga këto rezultate, ose nga ndeshja e sotme. Por normal ne bëmë çfarë është e mundur në të gjithë mënyrat, sidomos në pjesën e dytë për të vënë në presion më shumë skuadrën e Partizanit, ndryshuam edhe vendosjen, si në fillim, edhe më vonë me aktivizimin e Kaina. Duhej të luanim më shpejt me krahët dhe të ishim më cilësorë në shërbim.
Duhej që shërbimi nga krahët duhej të ishte më i mirë, apo më i shpejtë nga një krah në tjetrin që të krijonim diferencën. Në disa momente u bë, por të mos harrojmë se luan edhe kundërshtari futboll, jo vetëm ne.
Partizani u ngjesh në mesfushë, u mundua të na kapte me Da Silva dhe Mba. Ne bëmë disa gabime, edhe pas 1-1, edhe goli i anuluar erdhi nga një gabim i yni se kishim topin në këmbë. Dy qendrat e mesfushës, Alivoda dhe Boshnjaku duhej të ishin më të gatshëm për ndryshimin e lojës apo marrjen e topit nga qendërmbrojtësit, dhe nuk kishim pse luanim me mbrojtësit me portierin, se nuk ke pse rrezikon në këto momente.
Sa do zgjasë pezullimi i Latifit? Këtu ka marrë një vendim klubi, është përkrahur vendimi nga ana ime. Do të shohim ecurinë se e kam thënë që skuadrën nuk e bën një lojtar”, tha Josa për “Oversport pas përfundimit të ndeshjes.