Pronarë tokash, përpunues mëndafshi dhe tregtarë, pjesëtarë të familjes Juka, kontribuan edhe financiarisht për luftën kundër fashizmit. Megjithatë pas 1944-ës, ndëshkimi komunist do të binte mbi këtë familje edhe pse ajo kishte dhënë një bijë të saj në luftën kundër fashizmit dhe që ishte shpallur heroinë. U merren pronat dhe burgosen e persekutohen. Familja Juka, është një ndër familjet më të njohura në Shkodër, edhe pse për shumë arsye pjesëtarët e saj janë të shpërndarë në Shqipëri e jashtë saj. Emra të nderuar të kësaj familjeje, kanë lënë gjurmë në historinë e kombit shqiptar, brenda e jashtë tij, duke bërë që përmenden me respekt jo vetëm nga shkodranët.
Intelektualizmi dhe dashuria për atdheun, krenaria për të qenit shqiptar, duket se kanë karakterizuar figurat më të njohura të kësaj familjeje. Zamir Juka, është një ndër pjesëtarët e kësaj familjeje që vazhdon të jetojë në Shkodër.
Duke folur për familjen e tij, referuar asaj që i kanë treguar paraardhësit, asaj që është e shkruar apo dhe materialeve të grumbulluara nga kushëriri i tij, Gëzim Juka, i cili është në proces të shkrimit të një libri për historinë e kësaj familjeje, Zamir Juka tregon se, familja e tij ka ardhur në Shkodër nga zona e Dukagjinit, fshati Pecaj pas vitit 1600.
I pari i fisit ishte Pal Juca, i besimit katolik, dhe më pas pjesëtarët e kësaj familjeje, janë kthyer në myslimanë, ku dhe mbiemri Juca, kthehet në Juka. Kjo mësohet se ka ndodhur në kohën e ikjes së Venedikut dhe ripopullimit të zonave rreth kalasë së Shkodrës.
Historia e familjes Juka
Njerëzit e familjes Juka, janë vendosur në Shkodër në lagjen “Parrucë” dhe njiheshin si pronarë të mëdhenj ku, krahas pronave, ata kishin ndërtuar dhe xhaminë e Parrucës, e cila u shemb nga komunizmi në vitin 1967, dhe që cilësohej si një ndër xhamitë më të bukura dhe më të njohura në të gjithë vendin.
Kjo familje, përveç tokave, ishte pronare dhe e dy hoteleve, madje mendohet se edhe lagjja “Parrucë” ka marrë këtë emër, nga i pari i këtij fisi, Pal Juka. Pas pushtimit turk, pjesëtarë të familjes Juka, ishin aktivë në jetën politike të qytetit.
Tahir Agë Juka, ishte udhëheqës i grupit të Tabakëve. Nelo Juka, (Zenel Agë Juka) ishte aktiv në luftën e Miletit, të zhvilluar nga forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kontribues financiar i saj dhe një ndër firmëtarët e protestës së parisë së Shkodrës, më 16 qershor 1878, kundër copëtimit të Shqipërisë. Historia e kësaj familjeje, vazhdon me kontributet e pjesëtarëve të tjerë të saj, në jetën politike e administrative të Shkodrës e Shqipërisë, veçanërisht pas vitit 1912.
Krahas figurës së Musa Jukës, ka dhe të tjerë pjesëtarë të kësaj familjeje, që janë shquar në jetën politiko-shoqërore duke dhënë kontributet e tyre si atdhetarë, si: Hamza Juka, anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, Man Juka dhe Asllan Juka, pjesëtarë në Luftën e Koplikut, kundër serbëve në vitin 1920.
Pasardhësi i kësaj familjeje, Zamir Juka, tregon se, pavarësisht bindjeve zogiste, familja e tij u rreshtua në luftë kundër fashizmit dhe shprehu tipare të qarta antifashiste dhe për këtë ndihet krenar.
Edhe Musa Juka, që ishte numri 2 i shtetit shqiptar para pushtimit italian, bazuar në dokumentet zyrtare të kohës, ishte kundër pushtimit italian. Kështu më 6 prill 1939, ai do të transmetonte një shkresë, me urdhrin e Mbretit Zog, për qëndresë me armë kundër fashizmit, që e cila bëhet e ditur edhe nga ky dokument që po citojmë këtu për Musa Jukën.
Dokumenti arkivor për Musa Jukën, që kundërshtoj pushtimin fashist të vendit, në 7 prillin e ‘39-ës
Koncept: Mbretnija Shqiptare
Tiranë më 6-4-1939
Ministria e P. Mbrëndshme
Zyra Sekrete Nr. Ekstra
Kolonel Ali Riza, Vlonë
Si mbas urdhnit Nalt Madhnis Tij Mbretit:
Ju njoftojmë se, në rasë se trupat italiane fillojnë me zbarkue në tokën t’onë, menjëherë të fillohet luftimi tuaj i kundërshtua me armë. Stop. Dy batalionet e nodhun në Tepelenë dhe nji Berat, u urdhnuen me u nis për Vlonë dhe me u vue nën Komandën e Z. s’Uej, për mbrojtjen e atdheut. Stop. Ministri.
Internimi i familjes pas pushtimit fashist
Pushtimi fashist, do të kishte pasoja për këtë familje ku disa pjesëtarë të saj, u burgosën dhe u internuan. Kështu, Hilmi Juka internohet në Gjirokastër 1 vit, Galip Juka internohet në Pesaro, Itali 2 vite, Xhemal Juka, internohet në Peruxhia 1 vit, Elez Juka, internohet në Zvërnec Vlorë dhe në Itali 3 vjet, Ali Juka, internohet në Ventotene, Itali 3 vjet, Myfit Juka, u burgos në Shkodër dhe u internua në kampin nazist të Prishtinës, në shtator 1944. Kurse Shaban Juka, u aktivizua me lëvizjen studentore kundër pushtuesve të vendit.
Shejnazja, partizania e mitur shkodrane
Në këtë periudhë, bie në sy aktiviteti antifashist i një tjetër figurë të kësaj familjeje, Shejnaze Jukës. Ndërsa ishte me studime në Itali, ajo kthehet në Shqipëri dhe rreshtohet aktivisht në formacionet antifashiste e partizane, që në fillimet e saj, së bashku me kushëririn e saj nga nëna, Qemal Stafa.
Nisur nga aktiviteti i saj antifashist, ajo përjashtohet nga shkolla në Shqipëri dhe duke qenë se kërkohej nga fashistët, del në male si partizane. Shejnaze Juka, vritet duke luftuar me fashistët në zonën e Çermenikës në dhjetor 1943, dhe pas çlirimit, i jepet titulli i lartë, “Hero i Popullit”. Emrin e saj, e mban prej vitesh ish-shkolla Pedagogjike, sot Shkolla e Mesme e Gjuhëve të Huaja, në qytetin e Shkodrës, në oborrin e së cilës ndodhet dhe busti i Shejnazes.
Ndëshkimi pas çlirimit
Pronarë tokash, përpunues mëndafshi dhe tregtarë, pjesëtarë të familjes Juka, kontribuuan edhe financiarisht për luftën kundër fashizmit. Megjithatë, pas 1944-ës, ndëshkimi komunist do të binte mbi këtë familje edhe pse shumë pjesëtarë të saj ishin angazhuar në Lëvizjen Antifashiste gjatë periudhës së Lufës apo kishin dal me mal në forcat partizane, si Shejnaze Juka, e cila kishte dhënë jetën e saj në luftën kundër fashizmit.
Kështu që me ardhjen e komunistëve në pushtet, në fillimin e ’45-ës, fisit Juka u merren pronat dhe burgosen e persekutohen. Xhemal Juka, vdes në tortura në hetuesi së bashku me Qemal Draçinin dhe varret e tyre akoma nuk dihet ku janë. Hilmi Juka dhe Nuh Juka, burgosen politikisht. Intelektualë nga kjo familje të shkolluar jashtë vendit, si Galip e Zyber Juka, dërgohen me punë të rëndomta, në zona të tjera të vendit, si Myzeqeja, Rrësheni apo Maliqi.
Arsimimi i bijve të kësaj familjeje, shkon paralelisht me atdhetarizmin e saj, ku pjesa që është jashtë vendit, siç është familja e Musa Jukës, jo vetëm arsimohet, por dhe pse nuk komunikonin me të tjerët në Shqipëri, nuk e harrojnë atdheun e tyre.
Musa Juka, ministri, deputeti dhe kryebashkiak i Shkodrës…!
Ndër njerëzit më me emër në këtë familje të madhe shkodrane, spikat Musa Zyber Juka, (1885-1955). I arsimuar në kolegj në Stamboll, në vitet 1921-1924, Musa Juka merr pjesë aktive në politikën shqiptare të asaj kohe, duke u rreshtuar përkrah Ahmet Zogut.
Për kontributin e tij atdhetar, ai zgjidhet kryetar bashkie në Shkodër, për dy mandate. Në vitin 1917, ai ishte pjesëtar i delegacionit shqiptar në Vjenë, në ceremoninë e kurorëzimit në fron, të Karlit të Parë. Në fillim të dhjetorit 1924, ai emërohet zëvendës prefekt i Shkodrës dhe më 1 mars 1926, zgjidhet deputet.
Në kabinetet qeveritare të kryesuara nga Ahmet Zogut, Musa Juka, ka shërbyer si ministër i Punëve Botore dhe Bujqësisë e më pas, si zëvendësministër i Brendshëm. Në vitin 1928, ai është ministër i Bujqësisë dhe Pyjeve.
Në vitin 1929, është ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe në Asamblenë Kushtetuese të 1928-ës është në grupin e asamblistëve të Shkodrës, që shpallën Monarkinë Shqiptare, me Mbret Ahmet Zogun dhe në Parlament, deri në 1932-in ishte deputet i Shkodrës.
Në qeverinë e Pandeli Evangjelit nga 6 mars 1930 – 11 Prill 1931, Musa Juka, është ministër i Punëve të Brendshme, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë dhe në vitet 1932-1939, ndërsa gjatë kësaj periudhe ishte edhe zëvendësministër i Ekonomisë Kombëtare.
Po kështu, Musa Juka është deputet i Shkodrës në parlamentin e viteve 1932-1936, si dhe në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e janarit 1937 – 7 Prill 1939, ditë kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe ai u largua nga Shqipëria.
Gjatë viteve 1935-1937, Musa Juka ka qenë dhe drejtues i Entit Kombëtar të Turizmit. Me krijimin e Federatës Sportive Shqiptare në Qershor të vitit 1932, u zgjodh kryetar i saj.
Ai është dekoruar nga Perandori i Austro-Hungarisë në kohën e Luftës së Parë Botërore, kur ishte Kryetar i Bashkisë së Shkodrës dhe sipas gazetës “Posta e Shqypnies” e Gjergj Fishtës, (në Nr. 28 Mars 1917), së cilës i referohen pasardhësit e familjes Juka, Musa Juka, ka marrë “Kryqin e Kreshnikëve të Urdhrit të Franc Jozefit”.
Me një dekoratë e tillë, së bashku me Musa Jukën, janë nderuar dhe Ndre Mjeda, At Pal Çurçia, At Joakin Serreqi, At Pal Doda, Luigj Gurakuqi, Ahmet Bej Zogolli, At Shtjefën Gjeçovi etj., që përkrahën Austrinë.
Safete Juka, studiuesja e njohur shqiptare
Safete (Sofija) Juka, vajza e Musa Jukës është padyshim një tjetër figurë me vlera e kësaj familjeje. Intelektuale, e formuar në shkollat më të njohura, duke nisur me shkollën fillore në Tiranë, atë të mesme në Austri dhe universitetin në Francë, në vitet 1950-1956, ajo shërben si profesoreshë në Liceun Francez të Aleksandrisë, Egjipt.
Aty, meqë ishte e apasionuar pas artit, hap dy ekspozita pikture dhe u quajt “piktorja e luleve”.
Në vitin 1957, një vit pas vdekjes në Aleksandri të Egjiptit të babait të saj, Musa Juka, familja zhvendoset në Nju Jork të SHBA-ës. Atje jep mësime në një shkollë private në frëngjisht dhe gjermanisht. Gjatë kësaj kohe, mbron në Francë doktoraturën (më 1969-ën) dhe pas kësaj, shërben në Universitetin e Pensilvanisë, si profesoreshë e letërsisë frënge, të shekullit XIX-XX, ku del edhe në pension.
Gjatë kësaj periudhe kohe, ajo mori pjesë në shumë seminare dhe konferenca për problemet filozofike të artit e letërsisë franceze, në SHBA-ës. Piktore, studiues, kritike arti, eseiste, analiste e kulturës në përgjithësi dhe artit francez në veçanti, Safete Juka, bashkëpunon me revistat: “The French Review”, “Revue de Mitaphysique ed morale”, “Les Lettres Romanes”, “Ecrits de Paris”, “Realites”, La Nouvelle”, “Revue Francaise”, “South Asian Review”.
Problemi i saj kryesor, ishte çështja shqiptare dhe veçanërisht Kosova. Ajo i dërgon dhuratë presidentit, Bill Klinton, sekretarit Bob Doll dhe shumë kancelarive, librin e saj “Kosova – The Albanians in Yugoslavia in light of Historical Document”. Vend të rëndësishëm zë dhe libri i saj “Golgota”.
E etiketuar si Dora D’Istria e dytë, Safete Juka, është propozuar për çmimin “Nderi i Kombit”. Safete Sofija Juka (kështu e kishte emrin e vet në SHBA-ës) pas viteve 1990-të, erdhi në Shqipëri dhe mori pjesë edhe në seminarin “Shkodra në shekuj” në vitin 1993, me veprën “Shkodra në veprat e Mary Edith Durham”. Safete Juka, vdiq në nëntor të vitit 2005 dhe, sipas amanetit të saj, varroset në Shkodër.
Dhurata 40.000-dollarësh, Bibliotekës Kombëtare
Një tjetër tregues i patriotizmit dhe atdhedashurisë së Safete Jukës, edhe pse ishte larguar nga Shqipëria vetëm 13 vjeçe, është dhe dhurata prej 40.000 dollarësh që, ajo i la pas vdekjes së saj, Bibliotekës Kombëtare Shqiptare.
Këtë amanet, e plotësoi motra e saj Lume Juka, murgeshë e “Urdhrit të Nënë Terezës”, që i shkruan më 19 qershor 2009, nga Nju Jorku, drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, z. Aurel Plasari.
Në mes të tjerash, ajo i bën të ditur se; motra e saj Safetja, ka depozituar në një bankë të Nju Jorkut, një shumë prej 40.000 dollarësh, që sipas amanetit të saj, do t’i dhuroheshin Bibliotekës Kombëtare.
Lumnije Juka, motra e Safetes, ka një aktivitet sa bamirës, aq dhe atdhetar në Nju Jork, ku në vitin 1969, ajo bëhet nismëtare dhe mundësuese e takimit të parë të Nënë Terezës me Mbretëreshën Geraldinë.
Të tjerë pjesëtarë të familjes së Musa Jukës, u arsimuan në universitetet e njohura të botës, si Berhani Juka për Drejtësi në Sorbonë, ndërsa Fiqireti, për Letërsi Franceze, në Strasburg dhe në Universitetin e Xhorxhias, SHBA-ës për Shkenca Politike.
Ndonëse i larguar në moshë të re nga Shqipëria, Zamir Juka, tregon se ai ka pasur dëshirë të vinte në Shqipëri dhe në pamundësi të kësaj, sipas amanetit të tij, Fiqeret Juka, pas vdekjes, në vitin 1992, varroset në Shkodër.
Dy anët e medaljes
E kundërta ndodhi për pjesëtarët e kësaj familjeje që jetonin në Shqipëri, të cilët deri më 1990-ën i kishin të pakta mundësitë e shkollimit. Zamir Juka, i cili u privua nga shkolla e lartë për arsye politike, kujton atë që i tregonte babai i tij, kur u erdhi lajmi i vdekjes së Musa Jukës në Egjipt.
“Nuk lejohej të nxirrej njoftim dhe të priteshin ngushëllime, aq më tepër që Musa Juka, ishte i etiketuar nga komunistët si ‘armik i popullit’. Në këto kushte, miq e të afërm që e morën vesh, vinin tinëz për ngushëllime në shtëpi, në orare të ndryshme dhe me kujdes që të mos diktoheshin dhe mbi ta të binte ndëshkimi. Komunistët nuk lejonin që, të respektohej as i vdekuri. Më kujtohet që, babai dëgjonte fshehurazi stacionet e huaja dhe gjithmonë na porosiste se, çfarë flitej apo dëgjohej në shtëpi, të mos e thonim jashtë saj”, kujton Zamir Juka.
Ndërkohë, figurë e njohur e kësaj familjeje është dhe Xhelal Juka, sportist e trajner i njohur futbolli. Ndonëse spikaste si talent futbolli, ai luajti 10 ndeshje ndërkombëtare futbolli me ekipin e “Vllaznisë” dhe atë kombëtar, por të gjitha brenda vendit, pasi nuk lejohej të dilte jashtë shtetit, qoftë dhe për të luajtur futboll, si pjesë e ekipeve ku ai ishte në formacion.
Xhelal Juka, është “Mjeshtër i Merituar i Sportit”; mbajtës i Urdhrit “Naim Frashëri” i klasit të Parë, 1999; titullin “Palok Nika” dhënë nga Bashkia e Shkodrës 2000, “Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës” 2009. Pas 1990-ës, pjesëtarë të kësaj familjeje, vazhdojnë të kontribuojnë në fusha të ndryshme dhe të arsimohen jashtë vendit.
Genc Juka, ka qenë deputet në vitet 1992-1996 dhe 2005-2009, ndërsa Amer Juka, diplomohet me rezultate të larta për Drejtësi në universitetin Panthéon-Assas – pasardhës i të famshmit ‘Faculté de Droit de Paris’, në Francë.
Në ceremoninë e organizuar, Armer Juka, nderohet me çmimin “Major”, si student i shkëlqyer që është renditur i pari në përfundim të studimeve master, në degën e së Drejtës Evropiane të Biznesit.
Ky çmim, i është dhënë atij në vitin 2009, nga Eric Woerth, ministër i Buxhetit dhe Kontove Publike, Nëpunësve Publikë dhe Reformës së Shtetit në Francë, ndërsa të pranishëm kanë qenë dhe personalitete të tjera franceze, si: Vincent Lamanda, kryetar i Gjykatës së Lartë, Jean-Pierre Lecoq, deputet dhe kryetar i minibashkisë, Louis Vogel, President i Universitetit, Patrick Gérard, Rektor i Akademisë së Parisit. /Nga Anila DUSHI (RIP), marrë nga Memorie.al/