Më 12 Mars 1992, në Lengrries, Gjermani, ndërroi jetë folkloristi, gjuhëtari dhe shkrimtari i madh shqiptar, Martin Camaj. Ai vlerësohet si një nga autorët kryesorë të prozës moderne shqiptare. Romani i tij “Rrathë” konsiderohet të jetë romani i parë psikologjik i shkruar në gjuhën shqipe.
Martin Camaj lindi më 21 korrik 1925 në fshatin Temal të Mbishkodrës. Prindërit e dalluan zgjuarisë e tij që në fëmijëri dhe e nxitën përtej rrugës së zakonshme të çobanit, drejt asaj të arsimit, ku ndoqi studimet në të mirënjohurin Kolegj Saverian.
Pas arrestimit nga komunistët në 1948, Martini 23-vjeçar arratiset për në Jugosllavi ku pas disa peripecish, ai filloi studimet në Universitetin e Beogradit, në degën Gjuhë-Letërsi sllave dhe latine. Më tej vazhdon studimet albanologjike në Sarajevë, Romë e vendoset përfunimisht në Mynih ku dhe themelon katedrën e studimeve albanologjike atje.
Fokusi i studimeve të tij doktorale e postdoktorale tw tij ishin gjuha shqipe dhe dialektet, sidomos e folura e arbëreshëve të Italisë së jugut. Studimet e folklorit ishin qendra e veprimtarisë së tij si lektor e më vonë si shef katedre i albanologjisë në Universitetin e Mynihut.
Përtej punës kërkimore, Martin Camaj kishte kriijuaj një repertor të gjerë veprash letrare në formën e prozës e poezive, mes të cilave “Nji fyell ndër male” (Prishtinë, 1953) dhe “Kanga e vërrinit” (Prishtinë, 1954), “Lirika mes dy moteve” (Mynih, 1967), “Rrathë” (1978) etj. Veprat e Martin Camaj do të mbeteshin nën hije, sidomos gjatë regjimit komunist në Shqipëri për shkak të luftës ndaj figurës së tij prej të arratisuri.
Martin Camaj ia dedikoi jetën e tij studimeve albanologjike dhe lëvrimit të gegnishtes në poezinë e prozën e tij. Në jetën e Camajt, ajo që ishte fatkeqësia e pamundësisë së kthimit në vendlindje, u kthye në bekim të letrave shqipe ku në rreshtat e tij gjejmë aq shumë atdhe, fëmijëri e vendlindje. Martin Camaj u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare, më 12 mars 1992, pa arritur të kthehej asnjëherë në Shqipëri.