Të dashur qytetarë të Shkodrës, të nderuar príjës fetarë; të nderuara autoritete civile dhe ushtarake që ndodheni në mesin tonë; të nderuara mass media-t e pranishme, dëshirojmë t’ju shprehim mirënjohjen tonë të thellë për pjesëmarrjen tuaj të pakursyer në manifestimin paqësor që populli i Dukagjinit ka organizuar në dt. 20 shkurt të këtij viti dhe për mbështetjen tuaj që i keni dhënë dhe që po i jepni vazhdimisht peticionit të pagëzuar unanimisht: Dukagjini kërkon rrugën.
Njëkohësisht dëshirojmë të shprehim edhe një herë publikisht kërkesat që kemi prezantuar në manifestimin e parë të ngritur mbi të drejtën natyrore që përfshin të ‘drejtën e jetës dhe të lirisë’ dhe në të drejtën pozitive të shprehur në formë eksplicite nga neni 46 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë: «kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm», e sot qëllimi ynë i ligjshëm është: Rruga e Dukagjinit, ose metaforikisht siç kohët e fundit është çertifikuar nga mass media: Rruga e ‘frikës’ ose Rruga e ‘vdekjes’.
Sot, po ashtu si herën e parë, në këtë manifestim të harmonizuar në mënyrë vëllazërore dhe me integritet të pastër shpirtëror dhe mendimesh, pa asnjë lloj ngjyrimi politik, nuk jemi mbledhur për të paraqitur resurset e shumta natyrore, antropologjike, gjuhësore, apo etnografike e etnologjike që ofron krahina e Dukagjinit, por për të kërkuar nga strukturat e qeverisë qendrore dhe lokale që të merren masat e nevojshme për ndërtimin e infrastrukturës së Dukagjinit në përputhje me standardet teknike dhe dispozitat e tjera të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar në fuqi, relativ me Nenin 1 të Ligjit Nr.107 për “Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.
Pas shumë ngjarjesh tragjike të përjetuara në 30 vitet e fundit për shkak të aksit rrugor që përshkon krejt krahinën omonime në lindje të Shkodres totalisht jashtë kushteve teknike të çdo rruge urbane dhe pas shumë jetëve të humbura në këtë karrexhatë, të përjetësuara me pllaka përkujtimore, qirinj dhe simbole të tjera që i përkasin nekrologjisë dhe jo të ‘Drejtës së Jetës’, normalisht e mbrojtur me ligj, dhe e nënvizuar me forcë në artikujt e ndryshëm të Deklaratës Universale të së Drejtave të Njeriut, me anë të kësaj deklarate populli i Dukagjinit
kërkon:
1- Të merren masat e nevojshme për ndërtimin e segmentit rrugor që lidh Prekalin, njësitë Administrative të Pultit, të Shoshit dhe të Shalës, në përkim me normat e miratuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar;
2- Mirëmbajtjen e rrugës ekzistuese derisa të nisin punimet për Rrugën e Re;
3- Duke qenë se Ligji Nr. 119 për të Drejtën e Informimit ndër të tjera thekson se:
«çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik», dëshirojmë të njohim të vërtetën -për aq sa i lejohet qytetarëve të Republikës së Shqipërisë- nga autoritetet kompetente rreth programit dhe rreth të gjitha dimensioneve të tjera logjistike lidhur me Rrugën e Dukagjinit;
4- Falenderojmë z. Benet Beci, deputet i Qarkut të Shkodres dhe z. Tonin Deda, përfaqësues i Bashkisë Shkodër për përgjigjen e tyre mediatike relative me protestën e datës 20 shkurt. Duke qenë se deklaratat e dy zyrtarëve në fjalë janë ‘sigurisht’ me karakter divulgativ, atëherë në përkim me ligjin mbi të Drejtën e Informimit kërkojmë:të njohim të vërtetën me anë të publikimit mediatik të dokumentacionit zyrtar konkret në lidhje me pohimet që zotërinjtë e lartpërmendur kanë bërë në dy deklaratat e tyre.
Citojmë z. Beci:
“ […] ka përfunduar plotësisht projekti i detajuar teknik nga Prekali në Ndërlysaj…”
Perifrazojmë tekstin e z. Deda:
“[…] Këshilli Bashkiak ka akorduar një fond 110 milion lekë të vjetra për rehabilitimin e atij segmenti rrugor;
[…] Bashkia ka hartuar një projekt për rrugën e Dukagjinit të cilin e ka dorëzuar me dt. 9 shkurt;
[…] Bashkia i ka kërkuar qoftë autoritetit rrugor, qoftë edhe kryeministrit që të bëjnë një investim në këtë rrugë, pasi e konsideron një rrugë strategjike”.
Çfarë do të bëjmë në vijim nëse kërkesa jonë nuk do të merret në konsideratë?
1- Me anë të ‘mjeteve të komunikacionit’ që tashmëteknologjia na mundëson, do të sensibilizojmë ndërgjegjen kombëtare dhe ndërkombëtare.
2- Do të vijojmë me manifestime paqësore në Shkodër dhe në Tiranë, të themeluara jo vetëm mbi qytetarinë që e karakterizon historikisht ontologjinë e popullit Dukagjinas, por mbi ‘civilizimin e dashurisë’ që do të thotë: nuk do të bllokojmë rrugët dhe as nuk do të bëjmë asnjë veprim në kundërshtim me Kushtetutën tonë.
3- Me anë të një akti me vlerë juridike do t’i drejtohemi qeverisë qendrore dhe lokale, deputetëve të Qarkut Shkodër, ambasadave të huaja duke përfshirë edhe Nunciaturën Apostolike në Shqipëri si i vetmi institucion që i ka qëndruar afër në këto 30 vitepopullit të diskriminuar të Dukagjinit.
Me bindjen e plotë që tashmë do të fashiten sofizmat politike, retorikat që zakonisht përbëjnë tymnajën e fushatave elektorale; me besimin e plotë që kërkesa jonë do të merret në konsideratë dhe që së shpejti do të kemi një rezultat konkret pozitiv, shprehim konsideratën tonë të thellë për të gjitha institucionet shtetërore, qendrore dhe lokale.
Zoti e bekoftë Shqipërinë! /Deklaratë për mediat e organizatorëve të protestës për ndërtimin e rrugës së Dukagjinit/