Shkruan në Facebook Bardh SPAHIA, kryetar i Bashkisë Shkodër: Rruga e Dukagjinit është një domosdoshmëri dhe ndërtimi i saj i shërben zhvillimit të Alpeve, rajonit të Shkodrës dhe turizmit shqiptar.
I prita me kënaqësi në një takim bashkë me nënkryetarin e Bashkisë Shkodër Tonin Dedaj, një përfaqësi të komunitetit Dukagjinas që kanë ndërmarrë organizimin e protestave me kërkesën për asfaltimin e rrugës që lidh Shalën, Shoshin dhe Pultin me Shkodrën.
Siç e kam shprehur në qëndrimet publike, mbështes plotësisht nismën dhe do të jem krah banorëve të Dukagjinit për të kërkuar me ngulm realizimin e investimit, që fatkeqësisht sillet sirtareve të shtetit pa u zbatuar si projekt prej 10 vitesh. U la gati nga qeveria e zotit Berisha si projekti dhe fondi për zbatimin e tij, por që ju ndryshua destinacioni qëllimisht dhe me keqdashje nga qeveria Rama.
Bashkia Shkodër do të vazhdojë të realizojë detyrimin e saj të mirëmbajtjes siç ka bërë deri më sot, përtej vështirësive dhe problematikave që paraqiten për shkak të specifikave që ka zona.
Pa dashur në asnjë moment ta përfshij këtë çështje në vorbullat politike, i kërkoj qeverisë shqiptare thjesht të zbatojë projektin e hartuar vite më parë dhe ta nisë si nevojë emergjente këtë investim që nuk do të vonojë të përkthehet në zhvillim për krejt zonën.