Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” rifilluan trajnimet profesionale të mësuesve me pikë kredite. Në këtë kuadër, me 10 – 11 mars u zhvillua trajnimi i mësuesve me temë “Të nxënit e kombinuar (Blended learning)” nga Laboratori i Trajnimeve të Edukimit të Vazhduar i Universitetit të Shkodrës.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë për:
– modelet dhe platformat teknologjike me të cilat zhvillohet mësimi i kombinuar,
– projektimin, menaxhimin dhe metodologjinë e një klase të përmbysur (Flipped classroom).
Përmes veprimtarive praktike dhe punës në grupe ata reflektuan mbi atë që mësuan, ku nëpërmjet temave mësimore që vetë ata përzgjodhën, bazuar në profilin e tyre profesional, mësuesit dhanë shembuj praktik se si mund ta zbatonin këtë risi në klasat e tyre dhe në fund u testuan për njohuritë e marra.
Në përfundim të trajnimit, u bë shpërndarja e çertifikatave nga rektorja e Universitetit të Shkodrës Prof. dr. Suzana Golemi dhe zv. rektorja Prof. dr. Rajmonda Këçira, të cilat i falenderuan mësuesit për pjesëmarrjen e tyre, për besimin që ata shprehën në kapacitetet trajnuese të pedagogëve të Universitetit të Shkodrës dhe në veçanti, falenderoi dy trajneret e këtij trajnimi Dr. Rina Muka dhe Dr. Pranvera Kraja.
Ky rikthim i trajnimeve do të pasohet gjatë muajit prill edhe me tre module të tjera trajnimi të cilat do të ofrohen nga pedagogë të USH-së.