Diana Bahçja do të marrë sërish fëmijën e saj në krah, pasi drejtësia ia mohoi këtë moment unik, vetëm 8 ditë pasi e kishte sjellë në jetë djalin. Nëna lehonë nga Mati u lirua sot nga qelia me vendim të gjyqtarit Ardit Mustafaj, me kushtin për të paguar gjobën prej 250 mijë lekësh. Rasti i saj ka prekur zemrat e të gjithëve, ku shumë qytetarë janë shprehur të gatshëm për të shlyer pagesën. Kjo gjobë ishte fillimisht 250 mijë lekë, por duke qenë se ka bërë 10 ditë burg, shuma ka zbritur në rreth 200 mijë lekë.
Avokati i Diana Bahces, e cila u lirua nga burgu pas 10 ditësh, Anton Kosteri, u shpreh gjobën e mbetur do ta shlyejnë njerëzit e ndryshëm që janë vetëofruar për ta ndihmuar në mënyrë që të kthehet te fëmija.
“Ne kemi marrë shumë telefonata nga njerëz të ndryshëm që janë vetëofruar për të paguar gjobën dhe do të kontaktojnë me bashkëshortin. Duhet të jetë rreth 200 mijë lekë shifra që do të shlyejë. Ky është vendim që vërteton se dashuria e nënës është gjëja më e rëndësishme në këtë tokë dhe ka ndikuar në këtë vendim”, tha avokati.