Kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia priti në një takim në zyrën e tij ish presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu. Në fokus të bisedës mes tyre ishin zhvillimet politike dhe proçesi i integrimit në familjen evropiane të dy vendeve tona.
Duke diskutuar mbi ecurinë që ka patur Kosova në këto vite si shtet i ri, u vu theksi tek rëndësia që ka vënia në punë e të gjitha mekanizmave për të ecur përpara.
Spahia kërkoi që marreveshjet e firmosura mes dy qeverive të gjejnë zbatim më të shpejtë në praktikë, me qëllim që qytetarët të marrin frytet e tyre. Në të njëjtën kohë kryebashkiaku e quajti një hap të rëndësishëm dritën jeshile që i dha Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian proçesit të liberalizimit të vizave.
Rrugëtimi i Shqipërisë dhe Kosovës duhet të vazhdojë i përbashkët drejt anëtarësimit të plotë në BE theksuan në mbyllje të këtij takimi kryebashkiaku Spahia dhe ish presidenti Sejdiu.