Dita Botërore e Meteorologjisë shënohet çdo vit më 23 Mars, duke përkujtuar vitin 1950 kur hyri në fuqi Konventa për krijimin e Organizatës Botërore të Meteorologjisë. Ajo tregon kontributin thelbësor të Shërbimeve Kombëtare Meteorologjike dhe Hidrologjike në sigurinë dhe mirëqenien e shoqërisë.
Temat e zgjedhura për Ditën Botërore të Meteorologjisë pasqyrojnë çështje aktuale të ndërlidhura për motin, klimën dhe ujin. Vendi ynë u bë anëtar i Organizatës Botërore të Meteorologjisë në vitin 1957. Në hapësirën shqiptare vrojtimet e para meteorologjike janë kryer në tetor 1868 në Durrës. Përmendet po ashtu fakti që stacioni më i vjetër hidrometeorologjik në pellgun e rrjedhjes së lumit Drin është ai i Shkodrës, që i ka filluar matjet qysh në vitin 1888, më pas kanë nisur të ngrihen stacione edhe në vendet e tjera.
Zhvillimi i ekonomisë, i jetës, dhe i njohurive të shoqërisë në tërësi ka influencuar gjithmonë në përparimin e shkencës së parashikimit të motit, sepse, siç dihet, janë të shumta ato veprimtari të njeriut që lidhen me reshjet, temperaturat, erërat etj. Por, një zhvillim të madh shkenca e meteorologjisë e pati me fillimin e fluturimeve ajrore si dhe me përpunimin dhe analizimin e imazheve satelitore. Dihet se vrojtimet mbi reshjet në territorin e vendit tonë e kanë zanafillën në një periudhë më të hershme se ajo e rrjedhjes ujore dhe konkretisht pas vitit 1931 me krijimin e mbretërisë shqiptare.
Si të tilla disponohen të dhëna të përpunuara për një periudhë 1931-2007 (78-vjeçare) në disa stacione meteorologjike të vendit si Shkodër, Tiranë, Korçë, Kukës, Vlorë, Kuçovë, Lushnje etj., ndërsa të dhënat e përpunuara mbi prurjet mesatare në rrjetin lumor e kanë zanafillën që nga viti hidrologjik (1948-1949) deri në vitin 2000 (52-vjeçare). Vitet e fazës ujëshumtë 1949-1981-2010 në rrjetin hidrografik të vendit pasqyrohen me ujëshmëri të lartë, por shoqërohen shpesh herë me prurje të plota dhe prurje maksimale me pasoja katastrofike. Në këtë fazë vihen re prurjet e plota të vitit 1956 dhe veçanerisht plota e 16 nëntorit 1962 dhe 13 janarit 1963, të cilat janë pasqyruar në një studim të veçantë nga Instituti hidro-meteorologjik, botim Hidmet-1964. Po ashtu permbytjet e 2010-2011 në zonën e Shkodrës dhe të NënShkodrës.
Sistemet e paralajmërimit të hershëm (SPH) janë jashtëzakonisht të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve të zbutjes së kërcënimeve nga rreziqet natyrore. SPH-të efektive zakonisht përbëhen nga katër elemente kryesore: njohja e rrezikut, monitorimi dhe shërbimi i paralajmërimit, shpërndarja dhe komunikimi dhe aftësia për t’u përgjigjur. Aktualisht parashikimet kombëtare të motit aktualisht në Shqipëri bëhen nga tre organizma qeveritare:
1.Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM).
2.Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), i cili është nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes.
3.Shërbimi Meteorologjik i Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror (SHMANTA).
4.Së bashku me MeteoAlb, një subjekt privat.
Gjatë viteve të fundit, në Shqipëri janë bërë përparime të rëndësishme sa i përket sistemeve të parashikimit dhe monitorimit. Përmirësimet përfshijnë:
Në mbarë vendin janë instaluar 40 stacione të reja të automatizuara hidrometeorologjike vëzhgimi dhe shumica e tyre tashmë siguron të dhëna në kohë reale;
Që nga viti 2013 është funksional “portali i shpërndarjes dhe i paraqitjes së të dhënave hidrometeorologjike, një portal ky i ndërlidhur me sistemin hidrometeorologjik të IGJEUM-it dhe me dy mundësi aksesi të kufizuar dhe të pakufizuar. Në kuadër të projektit “Përballimi dhe Zbutja e Rrezikut nga Fatkeqësitë në Shqipëri (AL-DRMAP) në Evropën Juglindore (EJL), janë dixhitalizuar të dhënat hidrologjike të 20 viteve dhe i atyre meteorologjike të 10 viteve.
Do të shtoja faktin se sot, në kushtet e një urgjence globale mbi ndryshimet klimatike, burimet njerëzore duhen të shtohen në këtë fushë. /Nga Ervis KRYMBI, publikuar në Facebook/