1. Tre A-të e mëdha!
Shkodra pret nesër Presidentin e parë të nji shteti demokratik përendimor dhe Austria vendos nji shenjë të kjartë të nji miqësije shumëshekullore me vendin e shqipeve.
Dy Aleksandër dhe nji Alma, respektivisht Presidenti A. van der Bellen, ministri i jashtëm A. Schallenberg dhe ministrja e drejtësisë A. Zadiç vijnë së bashku me nji delegacion prej 30 firmave ma të sukseshme austriake.
Kjo vizitë e naltë shtetnore kallxon se Austria ka hi me kohë në shekullin e XXI dhe ajo investon në vende punet, në shtet ligjor e në prosperitet e jo në objekte të propagandes politike, ideologjike e reminishencave të së kaluemes.
Kështu edhe vizita në shkollën austriake “Peter Mahringer” vendos theksin mbi punën, shkencën e dijen për mbarë Shkodrën dhe rrethinat. Kjo shkollë pranon në bankat e saj nxanës nga të dy besimet, të krishtenë dhe islamë, pa ba asnji dallim, ndryshe nga disa shkolla të tjera të hueja.
Pranija në kët delegacion të naltë shtetnor e ministres së drejtësisë austriake, boshnjakes, refugjates së dikurshme 10- vjeçare, Alma Zadiç asht nji simbol i fuqishëm e duket se Austria asht këshillu mjaft mirë për kët vizitë.
Cili vend europian ka nevojë për drejtësi dhe reformë ligjore ma shumë se Shqipnija sot? Austria – ky aleat fatlum i kombit shqiptar zbret nesër në Shkodër e uroj që shkodranët ta presin siç kanë pritë gjithnji mikun: me krahë haptë.
2. Shkodra e demokracisë dhe mosmirnjoftja e Shqipnisë!
Shkodra asht edhe qyteti që i dha i pari shkëndijat demokracisë e megjithatë historia e politika shqiptare u tregue mosmirnjoftese me të sepse për 30 vjet ajo asht qyteti që po vuen ma shumë, me kriminalitetin ma të naltë e me papunësinë ma të madhe në vend, me nji mungese të plote të shtetit ligjor dhe me aktivitete ekonomike e kulturore ma të vobekta në vend.
3. Arti e kultura
Ky delegacion i naltë i shtetit austriak nuk ka në përbamje njerëz të artit e kulturës, të poezisë e muzikës, sepse për Austrinë si për mbarë perëndimin vlen postulati i shejtë: ARTIN E LETËRSINË E BAN VETË ÇDO POPULL E ATË ASKUSH NUK MUNDET ME U’A BA!
Kjo asht edhe e vetmja fushë e shenjtë e paprekshme e nji kombit, e cila mjerisht shfrytëzohet nga politika aktuale për interesa të fasadës porse jo të themeleve të shtetit…
Unë personalisht me kënaqesi ua kisha afru Bashkisë së Shkodrës mbështetjen time si në gjuhe, përkthim, njashtu edhe në pasqyrim të sukseseve të komunitetit shkodran në Vjene në kët pritje kaq të nalte të figurës numër nji të kombit austriak: Presidentit van der Bellen, profesorit tim të dikurshëm të Akademisë Sociale në Vjenë.
Porse si gjithnji bashkia e Shkodrës mbetet nji bashki me këshilltarët ma miope të vendit tonë, e kjo shifet edhe në titujt e panumërt honorifik “NDERI I SHKODRËS” që ka nda për personazhe shkodranë të diasporës, të cilët nuk e kanë ngulë nji gozhdë për kulturën shqiptare në botë…
4. Mirë se të vini tri A-të e mëdha të Vjenës! Ky asht shanci i madh për Shkodërlocen! /Nga Vjena Gjergj Jozef Kola, 26.03.23/