Pse e mendoj se duhet ta mbështesim gjithë banorët e Shkodrës protestën e Dukagjinit dhe pse qeverisja qendrore e lokale duhet ta marrë në konsideratë këtë investim pak të vonuar?
Personalisht e mbështes këtë protestë, si një kërkesë të drejtë legjitime dhe të mundshme për ta realizuar duke patur parasysh vlerat e saj njerëzore, historike dhe ekonomike që i sherbejnë jo vetëm zonës së Dukagjinit por Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.
Me ndryshimin e sistemit, në kërkim të një jete më të mirë, si gjithë Shqipëria edhe zona e Dukagjinit, iu drejtua migracionit të brendshshëm dhe emigracionit jashtë, duke boshatisur nga ana njerëzore, një territor të banuar në shekuj, duke lënë në mëshirë trojet e tyre të mbrojtura me gjak nga të parët e tyre për të mos u shkelë nga hasmi. Pse mendoj se qeverisja qendrore e lokale duhet shpejtojnë ndërtimin e kësaj rruge?
Së pari, nga pikëpamja njerëzore plotësohet një dëshirë dhe i jep kënaqësi mijëra banorëve që kanë rritur trupin në këto troje dhe kanë nostalgji të madhe për vendlindjen.
Së dyti, vetëm nostalgjia e këtij brezi mund të bëhet burim energjie për tu rikthye në trojet e veta me investime në shtepitë ekzistuese për ti bërë të banueshme qoftë edhe në periudha sezonale, për fundjava me weekend- e familjare apo banim të përhershëm.
Së treti, shume prej ish- banorëve, duke punuar me sakrifica në biznese brenda apo jashtë Shqipërisë, kanë krijuar mundësi financiare dhe nostalgjia i bën që të investojnë jo vetëm në shtëpitë e tyre por edhe përgjatë rrugës me bujtina, lokale, restorante e pika turistike, që ta bëjnë rrugën tërheqëse e të sigurtë për turistët e huaj e vendas që rruga të ketë sa më shumë lëvizje gjatë gjithë vitit e të gjenerojnë sa më shumë të ardhura për ato që investojnë e për rrjedhojë edhe për shtetin.
Së katërti, investimet në shtëpi, toka e troje, në pika turistike etj., që bëhen nga ky brez, imponon vazhdimësinë edhe tek brezi i ri që nuk e ka nostalgjinë në shkallën e duhur, duke ruajtur kështu trashëgiminë brez pas brezi në këto troje.
Së pesti, me qindra ekonomi familjare në bujqësi e blegtori do zgjohen nga gjumi e do rrisin të ardhurat reale të banorëve por edhe prodhimet bio në tregjet e qyteteve.
Së gjashti, duke qenë pothuaj krejt gjurma e rrugës luginë, nuk bllokohet asnjëherë nga kushte e motit dhe e bën krejt rrugën nga Shkodra në Theth të qarkullueshme në 365 ditët e vitit.
Së fundi, edhe nga pikëpamja ndërtimore, duke kenë se e kam kaluar me dhjetëra herë këtë trajektore rruge, dikur edhe në këmbë dhe më vonë duke patur përvojë si drejtues i Rrugëve të Veriut, e mendoj se edhe për qeverinë qendrore që duhet jetë investitorja kryesore, nuk është kosto e madhe sepse:
– Gjurma e rrugës në gjithë gjatësinë është ajo ekzistuese.
– Rruga në tërësi është me bazament të mirë dhe ka nevojë vetëm për zgjerime.
– Veprat e artit janë të vogla dhe nuk kanë kosto.
– Tunele e ura të mëdha që rëndojnë koston e rrugës nuk ka.
– Nga kushtet atmosferike nuk bllokohet.
Uroj organizatorët dhe popullin e Dukagjinit për iniciativën dhe gjetjen e kohës të përshtatshme. Do të jetë në nderin dhe detyrimin e qeverisë qendrore që aksi kryesor të projektohet e ndërtohet brenda këtij mandati qeverisës. Ndërsa qeverisja lokale, kushdo ta fitoje garën të fillojë nga projektet për lidhjen e qendrave të fshtrave me rrugën kryesore. Në zgjedhjet e ardhshme qendrore, populli i Dukagjinit pavarësisht bindjeve politike të respektojnë nderën. Urime Dukagjin për hapat e parë e tu plotësoftë dëshira sa ma shpejt. /Nga Nikolin DEDVUKAJ, ish- drejtor i ARRSH- së për Rajonin e Veriut/