Kandidati për president të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka fituar rreth 60.2 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kurse kundërkandidati i tij, presidenti aktual, Milo Gjukanoviç, ka marrë rreth 39.8 për qind, treguan rezultatet preliminare të 90 për qind votave të numëruara, sipas parashikimeve të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CEMI).
“Sonte është nata që kemi pritur për më shumë se 30 vjet, kjo është fitorja e Malit të Zi të pajtuar”, tha presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në fjalimin e tij të parë paszgjedhor.
Gjukanoviç ka uruar Milatoviçin për fitoren.
“Mali i Zi bëri një zgjedhje dhe unë e respektoj atë. Le të jetë një president i suksesshëm. Nëse është kështu, edhe Mali i Zi do të jetë një vend i suksesshëm”, tha Gjukanoviç.
Edhe kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, e ka uruar Milatoviçin për fitoren. Ai ka shkruar në Twitter se “Mali i Zi ka një të ardhme të ndritur!” dhe se “do të punojmë së bashku për një shtet evropian, civil dhe ekologjik”.