Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë ka përkrahur financiarisht së fundi botimin Antologji e poezisë moderne shqiptare ‘Veshun me diell, mbathur me hanë’ nga Rudolf Marku, ku nuk është përfshirë asnjë poet/e nga Kosova dhe trojet e tjera shqipfolëse të rajonit.
Kjo Antologji është promovuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit si institucion publik në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Duke synuar ta trajtojë historinë e poezisë shqipe nga shek i XXI –XX, kjo Antologji ka përfshirë 59 poetë, nga Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Zef Serembe, Asdreni deri tek emrat më në zë sot si Luljeta Lleshanaku, Arb Elo, Flutura Açka, Rita Petro, etj
Ky publikim ka hasur në kritika të shumta të njerëz të kulturës, si shkrimtari Ag Apolloni.
« Dje, është promovuar një antologji e poezisë moderne shqipe. Është aq moderne saqë fillon me Budin e Bogdanin. Përpiluesi i antologjisë ka bërë një punë të kujdesshme. Është kujdesur që të mos e fusë aty asnjë poet nga Kosova, Maqedonia, apo Mali i Zi. Kuptojeni, o qytetarë të Shqipërisë, se edhe ne që jetojmë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, e që shkruajmë shqip (edhe pse jo aq mirë sa laureati juaj) jemi shqiptarë. Nuk mund të ketë antologji të poezisë shqipe vetëm me poetët e Shqipërisë. Po kjo s’është as antologji, as e poezisë shqipe dhe as moderne. Kjo është marre!”, ka shkruar Apolloni ne profilin e tij në Facebook.
“Si mund të quhet antologji e poezisë shqipe, pa Azem Shkrelin, pa Beqir Musliun, pa Teki Dervishin, pa Rrahman Dedajn, pa Shaip Beqirin, pa Nehas Sopajn, pa Ramadan Musliun?!”, ka pyetur shkrimtari Ahmeti Selmani duke e cilësuar botimin si “Antologji Xhuxhe” duke ju referuar vargjeve nga Ali Podrimja.
Ndërsa veprimtari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi, ka kërkuar nga autori dhe botuesi që të kërkojnë falje dhe të tërheqin librin nga tregu. “Ky botim pa kritere dhe me injorim gjeografik të letërsisë shqipe është trup”, ka shkruar ai.