Sonte isha në koncertin e parë të Orkestrës Simfonike të Shkodrës e cila kthehet pas 32 vitesh funksionale, si institucion pranë Bashkisë Shkodër! Të shpreh atë që ndjeva nuk di të gjej fjalët e duhura! U përlota disa herë…ky besoj është shpjegimi më i saktë i emocioneve që përjetova!
U ndjeva si në shtëpi sepse instrumentistët (shumica prej tyre) ishin profesorët e shkollës ku unë studiova për 12 vite. Mësuesja ime e parë e violonçelit që më mori nga konkursi pasi fitova të drejtën për të qënë nxënëse e asaj shkolle e më tha ‘ti do të jesh violonçeliste’ – unë qaja sepse doja pianon, e mësuese Rajmonda Kondi Reci me shumë dashuri më çoi në klasën e violonçelit për të më njohur me veglën muzikore e cila do më shoqëronte për 12 vite. E takova sonte pas shumë viteve…O Zot çfarë emocioni, i papërshkrueshëm me fjalë!
Në atë sallë sonte ishin instrumentistë të rinj të talentuar, fryt i atyre mësuesve të mrekullueshëm të cilët profesionin e tyre e kanë ushtruar dhe vazhdojnë ta ushtrojnë me shumë dashuri e profesionalizëm. Sa bukur të shikoje mësues e nxënës sonte si interpretues në një nivel të barabartë. Sonte në atë sallë nuk ishin vetëm spektatorët, instrumentistët, solistët, dirigjenti, kori. Sonte në tempullin e artit ishin edhe Çesk Zadeja, Prenkë Jakova, Tish Daija, At Martin Gjoka, Avni Mula, Pjetër Gaci, Palokë Kurti, Gjon Kapedani, Tonin Harapi, Shuk Shllaku.
Kompozitorët më të mëdhenj shqiptar që i dhanë emrin dhe e vendosën Shkodrën në piedestalin e artit dhe kulturës shqiptare ishin sonte të gjallë mes nesh përmes perlave muzikore që trashëgojmë vetëm falë punës dhe talentit të Tyre.
Sonte u kënaqa, u mallëngjeva, përjetova emocione pa fund…Sonte salla e teatrit “Migjeni” ishte mrekullia vetë! Tradita u rikthye në qytetin e Saj, Orkestra Simfonike mori jetë e do vazhdojë të frymojë me koncerte të tjera!
Absolutisht që meriton falenderime pafund kryetari i Bashkisë, Bardh Spahia që pati vullnetin e mirë për të bërë të mundur ringritjen e Orkestrës Simfonike, zyra e kulturës pranë Bashkisë Shkodër që insistoi në realizimin e këtij projekti, maestro Jetmir Barbullushi për punën e palodhur dhe sigurisht instrumentistëve dhe vokalistëve që sonte ishin kryefjalë e atyre emocioneve që përjetuam si publik.
Mjafton të duash se gjithçka mund të arrihet! Sonte mori jetë Orkestra Simfonike e Shkodrës, një vlerë e padiskutueshme e artit shqiptar e cila filloi në Shkodër e në Shkodër duhet të mbetet! /Nga Eliona KODRA SHKRELI, publikuar në Facebook/