Kjo shprehje e zhargonit, të cilën e dëgjojmë rëndom ndër njerëz, herë si pyetje retorike e herë si një lloj pohimi përmbyllës kur dikush mëton të thotë diçka të madhe, ishte ajo ç’ka thashë me vete më së pari, kur pashë Kardinal Troshanin krah Papa Françeskut në bekimin e tij “Urbi et orbi” në ballkonin e Shën Pjetrit të Dielën e Pashkës.
“Eh, – vazhdova – 27 vite burg, përndjekje, mënjanim, përqeshje, tallje, pikërisht për shkak të besnikërisë së tij ndaj Papës, dhe ja ku është sot krah për krah me të në ballkon, i pari dhe i vetmi klerik katolik shqiptar që e ka shoqëruar Atin e Shenjtë në bekimin e përvitshëm “Urbi et orbi”.
Sa herë ne katolikët shqiptarë i kemi pritur Papët nga ekrani i televizorëve apo nga valët e Radio Vatikanit për atë bekim dhe për të dëgjuar urimin në shqip: “Përshumot Pashkët!”. Dhe çfarë privilegji që ndër mbi 120 kardinalë që ka Kisha Katolike, përzgjidhet që t’i rrijë pranë Papës pikërisht Ernest Troshani, prifti shqiptar! Hë?! A kemi gja me thanë?! Asgja! Duhet vetëm me heshtë e me kundrue misterin që qëndron thuajse shpotitës midis nesh.
Ah, mor dom Ernest, njimend bota sillet e mjerë kush nuk e di! – Ka një kohë për gjithçka. – na thotë Kishtari. Ti jetove kohën që vajtuesja mirditore gjithë mend e quante koha kur “…u ulën kodrat e u çuen prroskat”. Ti me jetën tënde na tregon se njerëzit e vegjël kërkojnë lartësitë për me u duk dhe të mëdhenjtë e përnjimendtë rrijnë në ultësira, sepse e dinë se janë tashma nalt dhe e bajnë hijen e randë.
Ti na mëson se kenosis është e vërtetë: Krishti u zhvesh për me na vesh ne, u ba i varfër për me na pasuru ne. Ai zbriti dhe Hyji e lartësoi, ashtu sikurse ty.
Por ne jemi kujtesëshkurtër, harrojmë e përsërisim. Kështu edhe ty, ashtu si profetëve, ne, bijtë e etërve mizorë që dikur të poshtëruan, tani të ngremë përmendore, sepse na duhesh. Të nderojmë e të japim çmime, sepse na kujton atë brejtje ndërgjegjeje që duam ta fshehim.
Pa asnjë rremendje, gjithsesi. Koha e vrasjes së profetëve, e salvimit të tyre, nuk kalon kurrë. Çdo brezni nderon profetët e së shkuarës, por vret ata të së tashmes, që t’iu lërë mundësinë e përmendoreve brezave të ardhshëm. Sa të ngjashëm jemi me veten!
Sillet bota, dom Simon, e bashkë me të edhe ne. Të lumët ne që të kemi! /Nga Dom Gjergj META, publikuar në Facebook/