Sulmet e hakerave në sistemet elektronike të të dhënave, nuk janë drejtuar vetëm në institucionet shtetërore si portali E-Albania apo të tjerë. Tashmë hakerat kanë nën sulm edhe institucionet bankare në vend.
Rasti më i fundit është denoncuar në ShkodraWeb nga një klient i Tirana Bank. Ditën e sotme, ai ka komunikuar me redaksinë tonë, duke denoncuar një fenomen të çuditshëm, i cili me gjasë ka shqetësuar jo pak edhe mjaft klientë të tjerë, duke ngritur shqetësimin se banka mund të jetë hakuar.
Personi në fjalë, ka tentuar ditën e sotme të tërheqë para nga një bankomat i Tirana Bank. Dy herë radhazi, ai ka provuar të fusë kodin PIN, i cili është refuzuar nga bankomati.
LEXONI EDHE: “Nuk ka aktualisht asnjë incident të asnjë natyre”, Tirana Bank reagon pas lajmit të publikuar në ShkodraWeb
Në dyshime e sipër, ai ka hapur aplikacionin mobile të Tirana Bank dhe ka mbetur i çuditur. Rezultonte debitor tek kjo bankë, pra balanca, rreth 1 miliardë euro!!! Duket e pabesueshme, por fotot e dërguara e vertetojnë tezën e klientit të Tirana Bank.
Sigurisht, nuk ka asnjë mundësi që të jetë krijuar një debi e tillë, por edhe në Tirana Bank mbase hakerat duket se kanë nisur lundrimin të qetë. A është momenti që klientët të shqetësohen? Këtë nuk mund ta themi por një kontroll i llogarive në sportelet e bankës, do të ishte një këshillë e natyrshme për të gjithë. /ShkodraWeb/