Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas njoftimit se në fshatin Vig, një shtetas lëvizte me armë zjarri me vete, në zonën ku banonte, duke shkaktuar panik te banorët, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e këtij rasti, dhe në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vigu”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në kuadër të këtij operacioni, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi, Edmont Ndoj, 25 vjeç, banues në Vig.
25-vjeçari dyshohet se më parë ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri kallashnikov dhe 2 krehra fishekësh.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, strukturat hetimore të Komisiariatit të Policisë Vau i Dejës dhe ato të DVP Shkodër, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.