Me 24 dhjetor 2022, teksa kapërcente derën e shtëpisë së BigBrother Vip Albania 2, Luiz Ejlli nuk ishte VIP- i më i famshëm që do të futej në garën që përfundon me 6 maj 2023. Prej vitesh, për zgjedhje apo i detyruar, Luizi kishte dalë në hije në kuptimin e plotë të fjalës. Vetëm disa komente/postime në rrjetet sociale në formën e gërricjeve me kryeministrin Rama, vetëm në pak raste e nxorrën nga hija, kryesisht për shkak të portaleve.
Fitues i “Etheve”, i Festivalit Kombëtar të Këngës në RTSH, përfaqësues i Shqipërisë në Eurosong, ishin etapat më të rëndësishme të një karriere si këngëtar që mesa duket, ishte e shkruar të mbetej një kujtim i të shkuarës. Megjithatë, duket se fati nuk e kishte braktisur Luiz Ejllin. Nuk është e konfirmuar por me gjasë, regjisori Eduart Grishaj e propozoi si pjesëmarrës në BBVip Albania 2 dhe vazhdimi është në sytë e të gjithëve.
Në mes VIP- ave të gjithë më shumë VIP- a se ai, Luiz Ejlli kishte një synim të qartë. Të futej për të fituar, me çdo kusht, me çdo çmim. Ndryshe nga të tjerët, ai kishte studiuar, parë e hulumtuar shumë formate të njejta e personazhe në botë. Në trurin e tij, ndërtoi skema e qasje për banorët e telespektatorët. Skema e parë, ajo e sëmundjes, i rezultoi e deshtuar duke rrezikuar eliminimin që në javët e para. Megjithatë, shpëtoi nga mbështetja e publikut.
Nga ai moment, ai ndryshoi strategji. Një lidhje sentimentale do ta ndihmonte të ecte përpara. Në morinë e vajzave që gjeti e të tjera që hynë, ai zgjodhi Kiarën, një vajzë showbizz- i, ndoshta më e vështira për tu arritur nga Luizi. E rritur në Itali, e pavarur që në moshën 17 vjeçare, me histori publike me VIP- a, për Luizin ish- VIP tashmë por edhe nga Shkodra, vajza me origjinë nga Lushnja, dukej “mollë e ndaluar”.
Sot, kur kanë mbetur 2 javë nga finalja e madhe dhe ku Luizi ishte finalisti i parë i zgjedhur nga publiku, janë të paktë ata që mund të kenë dyshime nëse shkodrani dhe Kiara janë vertetë të dashuruar. Gjithçka mund të ndodhë në jetën reale, por brenda BBVip, çdo gjë u përjetua si një histori e bukur dashurie që bëri të dashuroheshin me të me qindra mijëra shqiptarë anëkënd botës.
Sot Luizi është fenomen. Edhe ata që anatemojnë spektaklin, shqiptarët që e ndjekin apo edhe vetë Luizin, tashmë e pranojnë. Në pak javë, thuajse nga i panjohur apo i harruar, Luzi është sot shqiptari më i famshëm në të gjithë globin. Sigurisht, BBVip i dha mundësinë por edhe Luizi ishte dhe është kryefjala e spektaklit. Jo vetëm kaq, nëse ëndrra e tij ishte fitorja e BBvip për të blerë një shtëpi me paratë e çmimit, tashmë Luizi edhe nëse nuk fiton (për shkak të ndonjë ndërhyrje të produksionit sepse shqiptarët e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre), shkodrani do të përfitojë shumë më shumë se aq. Jo vetëm si këngëtar që patjetër nga kjo verë do të jetë ndër më të preferuarit, por tashmë edhe si personazh i showbizz, bashkë me Kiarën ose vetëm.
Vështirësia e vetme e vertetë për Luizin, do të jetë administrimi i vetes dhe i famës së padiskutueshme. Mundësia që i është dhënë me këtë paraqitjet në BBVip, është shumë më e madhe se ajo kur arriti sukseset që përmendëm në hapje të këtij shkrimi si këngëtar. Ky sukses, shans i dytë, i vjen në një moshë më të pjekur, me mundësinë për të ndërtuar jetën familjare me një vajzë që të paktën në BBVip, ka dhënë përshtypjen se e dashuron dhe do të jetë “nëna e fëmijëve të tij”.
Luiz Ejlli, është shembulli se si një njeri i zakonshëm, ish- VIP apo i harruar si i tillë, jo vetëm mund të ringrihet por edhe të ngjitet më lart se ku ishte në momentin e tij më të mirë. Sigurisht, moralistët që lexojnë këto rreshta, do të kenë opinion tjetër, krejt të ndryshëm. Por më parë të heqin celularin nga duart, nëse duan të mendojnë diçka para se ta shkrujanë e ta porojnë në realitetin virtual ku tashmë jeton e noton thuajse i gjithë njerëzimi. /Nga Blerti DELIJA/