Si qytetare e Shkodrës, si bijë, si nënë, si grua, si juriste, si shkrimtare, mendoj që në një demokraci, vota vendos kush duhet të qeverisë dhe kush duhet të tërhiqet duke pritur sërish një moment tjetër, por kur dikush nuk arrin të fitojë, nuk duhet të ngushëllohet gjithmonë me mendimin se kishte diçka të padrejtë por të gjejë mundësinë të përmirësohet që njerëzit të fillojnë ta besojnë.
Shkodra e pas 14 majit meriton të jetë Shkodra e harmonisë, bashkëpunimit dhe qytetarisë. T’i kthehet buzëqeshja Shkodrës, duke i ofruar shërbimin që meriton.
Shkodra e lënë mbas dore nga moskujdesja, por dhe nga emigrimi i shumë qytetarëve, për arsye , JETESE (minimale), sot duket si jetime. Uroj që zgjedhjet e 14 majit të jenë një hap përpara për Shkodrën drejt ndryshimit, zhvillimit nga të gjitha aspektet që e ka shumë të nevojshme, të jenë të lira dhe të ndershme..!
VOTA është shumë e shtrenjtë.
Shprehni qëndrimin tuaj ndaj alternativës që dëshironi, me vullnet të lirë, pa u intimiduar nga askush e pa intimiduar ju askënd! I lutem Zotit që produkti i këtyre zgjedhjeve të jetë legjitim, i drejtë dhe i hajrit për qytetin tim duke zgjedhur atë kryetar që i shërben Shkodrës së sotme dhe të ardhme. Amin! /Nga Vera BAJRAKTARI BUSHI, për ShkodraWeb/