Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme që në gjenezë, të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, nga toka dhe ajri, me dron, bazuar dhe në inteligjencën informative, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në lagjen Gjuraj, në fshatin Koplik i Sipërm, në një zonë të pyllëzuar, 80 fidanë kanabisi të kultivuar në kubikë, të cilët u asgjësuan me anë të djegies dhe një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e shpejta hetimore paraprake, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të këtij rasti, konkretisht të një 16-vjeçari, ndaj të cilit nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të moshës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.