133 ditë iu deshën Luiz Ejllit të duronte! Në fund të ditëve, jo vetëm u shpall fitues por mori CASH të paktën 100 mijë euro. Sigurisht më pak, nëse shteti do të marrë 15% e tij. Ishte finishi i një loje, një gare, e cila nisi si reality show dhe vijoi deri në fund si fiction (trillim).
Sot Luizi mund të konsiderohet fenomen. Jo thjesht dhe vetëm në kuptimin pozitiv që na vjen në mendje të gjithëve sapo dëgjojmë këtë fjalë. Siç e ka deklaruar edhe vetë, u fut në atë shtëpi si i pashpresë. I zgjënjyer nga ajo që kishte kaluar të paktën në 10 vitet e fundit të jetës. Madje, u fut duke i mbyllur vetes edhe të vetmin burim financiar të jetesës, një rrogë në KESH.
Luizi rrezikoi gjithçka për gjithçka. Harroi çdo gjë, edhe borxhet, duke u hedhur në “humnerën mediatike” të një spektakli, të cilin e studioi në imtësi, në disa versione, para se të hidhte hapin drejt derës së shtëpisë së BBVip.
Në fund të 133 ditëve, kur Luizi fiku realisht dritat e asaj shtëpie, është e thjeshtë të kuptohet se më shumë se një reality show, BBVip ishte një fiction, sipas një skenari të mirëpërcaktuar. Një skenar që ndryshonte vazhdimisht, në sajë të një bashkëpunimi të Luizit me Produksionin. Ky i fundit kërkonte audiencën që solli miliona euro fitime, ndërsa Luizi kërkonte paratë por edhe një mundësi të re për tu rinisur.
Interesat përputheshin dhe natyrisht, suksesi ishte i garantuar. Luizi luhatej nga tradicionalja tek modernja. Nga deliri deri tek ëndrra. Në shumë raste, skenari ndryshonte rrënjësisht. Nga humori dhe batutat, Luizi tregonte ndjeshmëri të lartë i mbytur në lot. Pak a shumë, një skenar si në jetën e përditshme ku gëzimet, hallet e hidhërimet ndahen mes tyre vetëm nga një fije floku.
Luizi ndryshoi formatin BBVip në hapësirën shqiptare por edhe Produksioni ndryshoi dukshëm 37 vjeçarin nga Shkodra. E kjo e fundit, Shkodra, radhë herë është artikuluar më shumë e më shpesh, jo vetëm në hapësirat ku jetojnë shqiptarë e shqipkuptues. Është ndoshta shërbimi më i mirë që iu bë Shkodrës nga 1990- a këtej.
Ishte harruar se Luizi ishte këngëtar. Madje, nga ata që kanë provuar skenat më të rëndësishme në Shqipëri e përtej, deri në Eurovizion. Në 133 ditë ai u “ringjall”, u kthye në fokus dhe vëmendje. Zëri i tij melodioz, interpretimet e një diapazoni të gjërë këngësh, e kanë kthyer në të preferuarin e kësaj vere, deri në momentin kur ai do të vlerësojë e mirëmenaxhojë veten.
Luizi u tentua të paraqitej deri në dhunues i femrave, edhe zonjave të zemrës së tij. U shenjestrua por nuk ngjiti. Thuajse ashtu siç ndodh në përditshmërinë tonë, me vajza e gra që të paktën përmes rrjeteve sociale, i jepnin mbështetje pa rezerva, duke kundërshtuar Zhaklinën, Arbrin, Arbanën e të tjerët.
Nuk hoqi asnjëherë nga mendja dhe goja familjen e tij, babanë e ndjerë, nënën, motrën, dhëndrrin, mbesat, shokët e miqtë, ata që e braktisën e anashkaluan por edhe e mbështetën. Siç ndodh sërish në përditsmërinë tonë. Përmendi edhe shumë emra, personazhe dhe nuk u pritua të konsiderohej edhe si i përfshirë në fushatën elektorale, deri në minutat e fundit, të celebrimit nga një kryebashkiak.
Në rrjete sociale, siç ndodh në përditshmërinë tonë, Luizi nuk i shpëtoi “gjyqit”. Jeta e tij, me të vërteta e të pavërteta, kaloi në sitë. Një sitë aq e imtë sa futej e dilte në familje, tek të fërmit, lidhjet e kaluara e të supozuara, në krevate e poshtë krevatit, në llogari bankare, pasuri, vila e deri CASH- in borxh apo të fshehur.
Të gjitha këto mund ti ketë hamendësuar para se të hynte në BBVip por fatmirësisht, nuk ka mundur ti konstatojë këto 133 ditë i ngujuar. Me përjashtim të informacioneve, që për hir të lojës, Produksioni me gjasë e ka orientuar. Nëse do ti kishte këto informacione, loja e Luizit nuk do të ishte ajo që të gjithë shqiptarët ndoqën për 133 ditë.
Ta mbyllim me kulmin e audiencës, raportin e tij me Kiarën. Nga 24 dhjetori deri me 6 maj 2023, kaluan të gjitha etapat e marrëdhënies në çift, në sytë e kamerave dhe përmes tyre, të miliona shqiptarëve. Vetëm ndonjë naiv mund të mendojë se kjo nuk ishte pjesë e një skenari. Madje, edhe zënkat, përqafimet, puthjet, shamatat, të bërtiturat, reagimet, kanë qenë pjesë e një skenari.
Sot, kur Luizi siç premtonte gjithmonë, ishte ai që fiku dritat e asaj shtëpie, nis historia e vertetë për të, për Kiarën, familjet e tyre, miqtë e të njohurit. Natyrisht, nuk do të mungojnë “gjyqet” publike në rrjete sociale, akuza e kundërakuza, publikime bisedash në rrjete sociale, skenarë tradhëtish, tema marrëdhëniesh familjare. Nëse Luizi do të dijë ti kanalizojë për ti shfrytëzuar, pikërisht këtu nis ngjitja e tij e vertetë në jetën reale.
Ajo që mund të thuhet me plot gojën është se, në 133 ditë, shqiptarët e jo vetëm njohën Luizin si fenomen. A do të ketë një të dytë si ai në një edicion tjetër të BBVip? Vështirë të thuhet se edhe po të rifutet ai vetë në një edicion të ardhshëm, nuk do të jetë i njëjti Luiz që doli në orët e para të ditës së sotme nga shtëpia e BBVip. Mbase Produksioni do të na japë mundësi ta vertetojmë apo përgenjeshtrojmë, me shumë gjasa po! Nëse do të vijojë të jetë fenomeni “Luiz” që është sot. /Nga Blerti DELIJA/