Nga Veriu në Jug, përballja për pushtetin vendor premtohet të jetë interesante këtë të diel. Pasi u kanë prezantuar në çdo cep të vendit programet e tyre, tashmë është radha e qytetarëve të japin verdiktin se cilit kandidat do t’i besojnë për 4 vite drejtimin e bashkive, teksa gurët e fundit luhen në qendrat e votimit.
Janë në total 144 kandidatë në garën për 61 bashkitë e vendit, në shumicën prej të cilave ka vetëm 2 rivalë në fushë-betejë, të nxjerrë nga 2 forcat që synojnë kryesimin e këtyre zgjedhjeve, Partia Socialiste dhe Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ku mblodhën forcat dy ish kryeministrat e ish presidentët Sali Berisha e Ilir Meta, që rikthehen për herë të parë në një betejë të plotë përballë Edi Ramës. Partia Demokratike e Alibeajt ka vetë 14 kandidatë, me Roland Bejkon në Kryeqytet dhe të tjerët kryesisht në bashki të vogla.
3, 650, 550 shtetas shqiptarë kanë të drejtë të zgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë në 14 maj. Brenda kësaj shifre, 122, 545 zgjedhës do tu drejtohen kutive të votimit për herë të parë Zgjedhësit do të kenë mundësi të hedhin votën e tyre në 5, 211 qendra votimi të shpërndara në 61 bashki të vendit. E drejta e votës nuk mohohet as për ata të cilët kanë një mjet identifikues të skaduar, pasi vlefshmëria e tyre është zgjatur deri në 31 maj.