Në periudhën 4-7 maj zhvillova një vrojtim statistikor në territorin e Bashkisë Shkodër, me synim studimin e profilit demografik-gjeografik-politik-fetar të votuesve potencialë të Benet Becit dhe Bardh Spahisë, që po garonin për Bashkinë e Shkodrës. Anketueset u shpërndanë proporcionalisht në të gjitha lagjet e qytetit dhe nëpër fshatra të ish-komunave, ku u anketuan gjithsej 2020 shkodranë të rritur.
Një pjesë e mirë e tyre u shprehën se donin të votonin për Becin, por nuk mund të dihet me ekzaktësi nëse të gjithë ata shkuan për të votuar për të më 14 maj. Sidoqoftë, studimi statistikor i tyre na jep një pasqyrë shumë të përafërt statistikisht të shkodranëve që faktikisht votuan për Becin, ngaqë pjesëmarrje e votuesve të tij më 14 maj ishte në përputhje me pjesëmarrjen potenciale për të në vrojtimin statistikor.
Nga pikpamja gjinore, të anketuarit që donin të votonin për Becin nuk kishin përbërje të ndryshme nga ajo e popullsisë së rritur shkodrane – ishin pothuaj 50% femra e 50% meshkuj. Ndërsa nga pikpamja moshore, moshat 18-34 vjeç përbënin 1/3 e votuesve potencialë të Becit, ndërkohë që në popullsinë e rritur shkodrane përbëjnë vetëm 28%. Nga ana tjetër, moshat 65 vjeç e sipër përbënin vetëm 15% të votuesve potencialë të Becit, ndërkohë që në popullsinë e rritur shkodrane përbëjnë plot 21%.
Nga pikpamja gjeografike, votuesit potecialë të Becit ishin shpëndarë proporcionalisht në qytet e në ish-komunat, në mënyrë të ngjashme me popullsisë e rritur të Shkodrës. Me fjalë të tjera ai kishte përkrahës kudo në mënyrë proporcianale, gjë që u vërtetua edhe nga numërimi i votave të 14 majit.
Nga pikpamja politike, rreth 20% e votuesve potencialë të Becit nuk kishin votuar fare në zgjedhjet e parvjetshme politike, 76% kishin votuar për PS-në, PSD-në dhe LSI-në, ndërsa 4% për PD-në tashmë të përçarë.
Nga pikpamja fetare, kishte një përqindje lehtazi më të lartë të katolikëve ndër votuasit potencialë të Becit krahasuar me përqindjen e katolikëve në popullsivnë e rritur shkodrane (33% vs. 31%).
Një pjesë e mirë e të anketuarve u shprehën se donin të votonin për Bardh Spahinë, por rezultati i 14 majit tregoi se, në fakt, shumë prej tyre nuk shkuan të votonin për të. Për këtë arsye, studimi statistikor i votuesve potencialë të Spahisë nuk mund të na japë një pasqyrë statistikore të shkodranëve që faktikisht votuan për të.
Një krahasim i 38 mijë votave që mori Voltana Ademi më 2015 (kur garonte përballë një kandidateje që përkrahej nga qeveria e Edi Ramës, PS-ja, PSD-ja, dhe LSI-ja lokale), me 22.7 mijë votat që mori Bardh Spahia më 14 maj, tregon se deficiti i votave të Spahisë ka qenë i shpërndarë në të gjithë spektrin demografik-gjeografik-politik-fetar të elektoratit të djathtë shkodran. /Nga Eduart ZALOSHNJA/