Pas votave për kryetarin e Bashkisë Shkodër, ka përfunduar edhe numërimi i votave për këshillin bashkiak. E majta ka siguruar edhe shumicën dërrmuese në parlamentin e vogël të Shkodrës, ku bashkimi i votave të PS- së dhe PSD- së, ka sjellë fitoren e 30 vendeve nga 51 që ka këshilli bashkiak.
Partia Socialiste rezulton forcë e parë politike me 18 vende, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka siguruar 13 mandate ndërsa Partia Socialdemokrate ka marrë 12 mandate. Partia Demokratike ka siguruar 5 vende në këshill, teksa konfigurimi i vendeve mbyllet me nga një vend këshilltari për Partinë Lëvizja e Legalitetit, Aleancën Liberale të Djathtë dhe një vend për Frymën e Re Demokratike.
Pavarësisht se me mazhorancë të qartë majtas, Këshilli Bashkiak i Shkodrës rikthehet shumëngjyrësh politikisht pas zgjedhjeve të vitit 2019. Bashkimi i mandateve PS dhe PSD sjell jo vetëm një mazhorancë të qartë në krah të kryebashkiakut Benet Beci por edhe tregon balancën në shifra në mes votës mazhoritare dhe asaj politike në zgjedhjet e 14 maj 2023.