Profesorin e profesorëve të artit shqiptar Robert Radoja e kam takuar për herë të parë në Dardhë të Korçës, aty ku kishte bujtur me mirësinë e tij proverbiale, për të na argëtuar ne, një grup miqsh, të cilët kishim shkuar për disa projekte. I thjeshtë gjer në madhështi, i përulur gjer në mirësi, profesor Roberti, sapo hyri në sallë, menjëherë sytë i shkuan tek pianoja e tij e dashur. Bëri t’i afrohej, por…., nuk e di se çfarë e shtyu t’i hidhte sytë nga salla dhe të shihte se kush kishte ardhur, dhe se a mund të njihte dikë që s’e kish takuar? Befas erdhi dhe mu drejtua mua. Nuk më foli por më zgjati dorën. Unë u habita. Kur e dëgjoj të më thotë: Eja me mua, të takon ty të luash në piano.
Nuk di si i kapërdiva disa lotë që mu mblodhën nga kjo zemër atërore që, veç artistit, ushtronte me vetëdije edhe misionin e babait për shumë e shumë artistë, jo vetëm të brezit tim, por edhe të brezave të mëparshëm. Shkova gjithë droje tek pianoja. E vendosa që do të ulesha dhe do t’i thosha se duhet të luante ai më parë, por ai s’më dëgjoi. Fillo më tha. Unë luajta si e përhumbur, dhe merre me mend, as nuk e mbaj mend se ç’pjesë luajta, nga befasia e bukur që më krijoi profesori. Pas pjesës sime e ftova dhe u ul në qetësi të luante. Por gjeti sërish një befasi: “Këndo më tha”, të të shoqëroj unë, dhe unë nuk ia prisha, megjithëse vazhdoja të prekesha edhe më tepër. I thashë se do të këndoja “Kur nata Korçën e mbuloi”, dhe filloi të më shoqëronte me atë muzikalitetin e tij të brendshëm, pa pompozitet, por thjeshtë dhe bukur, siç i ka hije një artisti të dlirë si ai. Kështu kaluan disa minuta dhe profesor Roberti u largua herët atë ditë. Kurse unë e mbaj mend edhe sot atë moment që s’kam për ta harruar.
Fal tij, ka mbaruar akademinë e arteve mësuesja e institutit të nxënësve që nuk shikojnë Desdemona Horjeti, që është një nga mësueset e mia të pianos. Bëhej fjalë për kohën ku paragjykimet, paranojat, pritat e panumërta bënin të tyren, dhe në akademi nuk mund të afroheshe aq lehtë. Ishte koha kur studentëve me aftësi të veçanta flitej për t’iu dhënë çertifikata, dhe jo diploma, kurse profesor Roberti, fal punës së tij këmbëngulëse, fal shpirtit të tij prej artisti dhe njeriu të madh, diplomoi për piano mësuese Monën, e cila jep mësim tek nxënësit prej 30 vjetësh. Ai ka një ndjenjë të çudiçme artistike, i ndjek dhe i vlerëson të gjithë ata që kanë një aftësi të tillë, një prej tyre jam edhe unë. Ai gëzohet për sukseset e mia. Sa herë e ndesh në rrugë, ma shpreh këtë. Profesor Roberti shkon edhe në institut dhe i dëgjon në piano nxënësit e mësuese Monës, dhe ju jep këshilla. Po kështu edhe në liceun artistik, në saxho ka asistuar disa herë, dhe fjalët e tij inkurajuese të emociononin gjithmonë. Ai është një shembull për artin shqiptar, se si duhet të jetë një artist, si duhet të ndjejë një artist, për ata që e ëndërojnë skenën, por nuk e prekin dot.
Profesor Roberti, është një monument mirësie, për ata të cilët askund nuk kanë gjetur atë ngrohtësi, atë bujari profesionale që e kanë gjetur tek profesori. Mjafton t’i kërkosh të të shoqërojë në një koncert, mjafton t’i lutesh për të harmonizuar një këngë, ose edhe shumë këngë, ai ulet menjëherë, edhe tani në të vonë të jetës dhe ta mbaron porosinë, dhe s’kërkon asgjë në shkëmbim, asgjë, përveç respektit dhe mirënjohjes për të, të cilën edhe atë se kërkon, por e imponon me qëndrimin e tij ndaj artistit nxënës ose student. Ka shumë syresh, nga ata kapadainj të artit shqiptar, që mendojnë se duke qenë kapadai, ju rritet vlera, dhe që kujtojnë se me këtë, do t’i kenë të përjetshëm lapidarët. Jo, jo dhe jo. Ata s’do të kenë lapidarë. Profesor Roberti ka ngritur te çdo pianist, muzikant, këngëtar që e ka njohur, që ka punuar me të, nga një lapidar mirësie.
Profesor Robert Radoja, është mjaftueshëm një personalitet, për tu nderuar si i tillë, por personaliteti i tij qëndron më së pari tek thjeshtësia, tek përulësia ndaj punës, vyrtyte që e karakterizojnë mjeshtrin. Profesor Roberti është pianist, kompozitor, pedagog, orkestrues, muzikolog, tek i cili mund të besojë çdo profesionist nëse do të bëhet një ditë muzikant me mjeshtëri. Kujtojmë këtu, këngë, muzikë filmi, muzikë për teatrin e kukullave, orkestracione e përpunime të këngëve popullore shqiptare, ruse etj, përpunime për instrumenta të ndryshëm, harmonizime etj, pa përmendur këtu mësimdhënien të cilën profesori e ushtron qysh në të ri prej 6 dekadash. Për profesionizmin e tij në muzikë, do të shkruaj një ditë tjetër. Sot desha ta sjell mjeshtrin Radoja, si një shembull njerëzor, si një kult mirësie në artin shqiptar, të cilit zor t’i afrohen shumë e shumë artistë të brezit të tij por edhe më të rinj se ai.
Nëse vendos të jesh artist, sëpari duhet të kuptosh se lartësia e skenës nuk do të thotë mendjemadhësi, nuk do të thotë kapadaillëk, dhe nuk do të thotë, vetëm adhurues, idhtarë dhe idhull, por do të thotë, punë, sakrificë, gjak, diersë, sfilitje, për të arritur atje ku mund të të shpjerë vetëm thjeshtësia dhe talenti. Profesor Robert Radoja, me shembullin e tij na thotë se: Artist të madh dhe njeri të vogël nuk mund të ketë. Artist të madh, dhe shitës profesioni nuk mund të ketë. Artist të madh, të skenës që lufton kolegun në prapaskenë nuk duhet të ketë. Dhe unë sot e mendoj shpesh profesor Robertin. E mendoj sa herë kam ndonjë projekt, sa herë kam për të dalë në skenë, dhe them:
Po të ishte ai në sallë, qoftë edhe si publik i thjeshtë, me siguri kënga do të më shkonte më mirë, ose do të gëzoja ndonjë meritë suksesi më tepër. E di që është e vështirë ta gjesh kudo një shembull të tillë. Shpresoj të frymëzohet prej këtij njeriu të madh, dikush nga arti shqiptar, dhe le të rrijë dhe të mendohet një çast dhe të thotë: Ka qenë diku, dikur një muzikant, ku shpirti dhe muzika që krijonte, nuk dalloheshin nga njëratjetra. Jetë të gjatë profesori ynë, mjeshtri artist, dhe mjeshtri njeri Robert Radoja. Mbetesh një emblemë e pakonkurueshme mirësie për artin dhe skenën shqiptare! /Nga Blerina SHALARI, publikuar në Facebook/