Një podcast i Kryeministrit me “njerëzit më të famshëm” të momentit- fituesin e reality show-t dhe kryebashkiakun e ri të Shkodrës, ngall kuriozitet për të kuptuar se çfarë ka ndërmend të bëjnë njeriu që qeveris vendin, njeriu më i famshëm për momentin dhe njeriu që do të drejtojë kryeqytetin e Veriut.
Tema e podcastit të shtatë pritej më e qetë, në analogji me ditën e 7-të: “Pasi krijoi qiejt dhe tokën, së bashku me të gjitha krijesat e gjalla, Zoti vuri re se puna e tij ishte kryer dhe e shpalli ditën e shtatë si ditë pushimi.
Podcasti “Blu Brothers”, një gjetje që bashkon protagonistin e “djathtë” shkodran të Big Brother me të “djathtin” e sapo zgjedhur si kryebashkiak, nuk zhgënjen.
Tema e intervistës me Luis Ejllin dhe Benet Becin ishte Shkodra.
Në 44 minuta, Shkodra vetëm nga intervistuesi (kryeministër) u përmend 20 herë. Ideja kontrolluese e bisedës ishte: “Ne (të tre) e kemi Shkodrën në zemër dhe në mendje”.
Podcasti shërbeu edhe për përsëritjen e mesazheve/batuta të fushatës përmes podcastit. “Ky është i djathtë, por këtë radhë qyteti ka votuar jo me zemër, por me mendje”, “Po të pyes si një i djathtë që ka votuar…”, “The se isha i djathtë, por në punë je futur në kohën e qeverisë së majtë…”.
Edhe shigjeta kryesore që kryeministri kishte në zgjedhje u fut “natyrshëm” në podcast, përmes pyetjeve të shkurtra informuese për Luizin:
-Ti e ke familjen në Amerikë?
-Po.
-Po a shkon atje….?
-Po.
-Domethënë e merr vizën?
-Unë nuk jam “non grata”.
Intervistuesi ja arriti qëllimit deri tek minutat e fundit të bisedës.
Tejet i qartë në objektiv, (Shkodra) duke kombinuar pyetjet e gjata me të shkurtra (pse? kush?), dëgjimin me vëmendje dhe me pyetje follow-up, gjuajtjen e “lajmit”, me rrëfëmin e shkurtër, ironinë me autoironinë (unë kam mbarur punë me flokët).
Tek minutat e fundit intervistuesi veshi xhaketën e kryeministrit dhe tregoi llërët e politikanit që mban gjithmonë lapsin në dorë: “projektet e mëdha i bëj vetë”.
“Ti do të rrish në Shkodër, këtë mos ta diskutojmë se e kam gati zëvëndësuesin…” dhe (pyetja drejtuar Luizit)“çfarë do doje ti nga Beneti, se nderin ja ktheve s’mund t’i kthesh nderin gjithë jetën? Ja lave jeni zero-zero”.
Podcast nis me kuriozitet për fëmijërinë e dy protagonistëve që intervistuesi kërkon t’i lidhë me Shkodrën edhe pse kryebashkiaku i ri është rritur në Tiranë.
“…po më përpara (Benet) në fëmijëri ke shkuar në Shkodër”?
Mes dy “shkodranëve” të sotëm edhe intevistuesi kthehet 32 vite pas dhe e fut veten mes shkodranëve anti-regjim në meshën e parë të Dom Simon Jubanit në Shkodër në dhjetor të ‘90.
Por nga minuta e parë deri tek e fundit, biseda ofron sa aftësitë e intervistuesit, edhe një lloj droje për t’u futur në batuta me Luiz Ejllin.
-Kjo martesa sapo dole është e vërtetë apo vazhdim i spektaklit?
Pyetja është një ngritje topi për Luizin që ja kthen duke futur në lojë Lali Erin.
Intervistuesi e nuhat që nuk duhet ta vijojë ping-pongun dhe kalon nga Beneti, tashmë nuk e pyet, por i dikton si kryeministër: “Duhet të shoh faturën e dritave që konsumon duke ndenjur në Shkodër dhe jo si disa (kryebashkiakë) që shkojnë dhe vijnë në Tiranë.
Mbyllja e podcastit janë fjalët që intervistuesi kryeministër ja “grabit” çdo kritiku: “Këta ishin të ftuarit sot dhe besoj se jo për meritën time, kjo do të jetë një ngjarje në historinë e podcastit dhe do të ndiqet shumë, sepse vazhdon një kuriozitet i caktuar që unë nuk kam lidhje, por që natyrisht regjimi i shfrytëzon të gjitha dhe të gjithë”.
Nëse do të kishte më shumë kohë Kryeministri pa dyshim për pasionin e dukshëm që ka dhe për mungesën e konkurrencës mund të arrijë të bëj intervista dhe biseda shumë të mira.
Pyetja: Nëse kohën e podcasteve do t’i kushtohej qeverisjes, natyrisht merr përgjigje të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. /Publikuar në Facebook nga Lutfi DERVISHI, gazetar/