Duket se institucionet ndërkombëtare kanë nisur të ndërmarrin hapat e parë për të vënë në zbatim vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar për “gjobën” 110 milionë euro të Shqipërisë ndaj biznesmenit Francescco Bechetti.
Gjykata e Apelit në Bruksel ka marrë vendim që të ardhurat që administron kompania e kontrollit të trafikut ajrore shqiptar, Albcontrol, do të kalojnë në llogari të investitorit italian, Francesco Bechetti.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat belge, të cilat raportojne se shuma që i është bllokuar Albcontrol është 65 milionë euro.
Gjykata e Apelit të Brukselit ka vendosur përfundimisht bllokimin e tarifave që kompania ndërkombëtare “Eurocontrol” i paguan shoqërisë publike shqiptare “Albcontrol” për trafikun ajror.
Vendimi është marrë në datën 15 maj 2023, pas kërkesës së Francesco Bechetti dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Kujtojmë se pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, qeveria shqiptare refuzoi që të paguajë vlerën e parave prej 110 milionë eurosh që u vendosën si dëmshpërblim kundrejt biznesmenit Bechetti, pas mbylljes së televizionit “Agon Channel” që administrohej prej tij.
Por duket se ky refuzim ka shkaktuar pasojat për kompanitë shtetërore shqiptare, pasi Bechetti ka vënë në lëvizje institucionet ndërkombëtare.